Gjykata Kushtetuese hapi procedurë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Kushtetueses, me këtë vendim Qeveria dhe Kuvendi kanë vepruar në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve pasi janë përzier në punën e pushtetit gjyqësor. Kjo, siç theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. “Shumica e gjyqtarëve vlerësojnë se me atë ligj, ndërhyhet në pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ…Për uljen e pagave të gjyqtarëve ekzistojnë standarde të pranuara ndërkombëtare”, deklaroi Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Me këtë, nënkuptohet që Gjykata Kushtetuese në fazën e ardhshme mund të marrë vendim për shfuqizimin ose anulimin e ndryshimeve ligjore dhe rikthimin e neneve që parashikojnë paga më të larta për gjyqtarët dhe prokurorët në vlerë prej mbi 15.000 denarësh. Ndërkohë Gjykata hapi procedurë edhe për kontestimin e neneve që kanë të bëjnë me publikimin e aktgjykimeve. Shumica e gjyqtarëve vlerësuan se gjykatat mund t’i publikojnë vendimet gjyqësore edhe nëse ata nuk janë të plotfuqishme. Ndër temat më të nxehta në Gjykatën Kushtetuese ishte vendimi për nenet kontestuese të Kodit Penal që kanë të bëjnë me shpërdorimin zyrtar. Kushtetuesja, e ka shtyrë diskutimin meqë Kuvendi e ka njoftuar se kanë filluar procedurën në bazë të rekomandimeve që kanë marrë ma herët. Ndërkohë vendimin për rritjen lineare të pensioneve, pensionistet duhet të presin pas janarit të vitit të ardhshëm, meqë sot nuk u sigurua shumica pasi gjysma e gjyqtarëve mendojnë se rritja lineare duhet të shfuqizohet dhe gjysma tjetër, duhet të mbetet në fuqi. Nga ana tjetër, gjyqtarët hodhën poshtë iniciativën që kontestonte përllogaritjen e çmimit të rrymës në bazë të katër blloqeve. Pra, në fuqi mbeten rregullat e njëjta juridike.