​Përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa, Ipeshkvia e Kosovës organizoi pritje solemne për Krishtlindje

Me rastin e kremtimit të festës së Krishtlindjes, Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë Dodë Gjergji ka organizuar sonte pritje solemne, ku mori pjesë edhe e para e vendit Vjosa Osmani. Gjatë fjalimit të tij, Dodë Gjergji tha se çdo shoqëri në këtë botë sot ka nevojë për paqe, dashuri e mirëkuptim. “Festa e Krishtlindjes është festë e jona. Krishti, mbreti i paqes është për të gjithë, si çdo njeri dhe familje, vendi ynë dhe çdo shoqëri në këtë botë ka nevojë më së shumti sot për paqe dhe dashuri, mirëkuptim dhe gëzim ne zemrën e vet, sepse Krishti është drita që shndrin errësirën jo vetëm të natës së festës, por edhe të menduarit, ngjarjeve të cilat i jetojmë dhe që kanë kapluar në zemrën e njeriut një shoqëri apo familje. Le të jetë Krishti drita që shkëlqen në zemrën e secilit. Le të vazhdojmë së bashku për të lutur në këtë natë të shenjtë për secilin prej nesh për të gjitha besimet”, tha Dodë Gjergji. Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se duhet të ndiqet shembulli i humanistes së madhe shqiptare Shën Nënë Terezës për të shprehur solidaritet me të gjithë ata që kërkojnë dhe kanë nevojë për ndihmë. Ajo shpalosi edhe detaje nga vizita e saj në Vatikan, ku u takua me Papa Leonin e 14-të, me të cilin ka biseduar për rolin e Kosovës si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare. Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për të avancuar miqësinë historike. “Përtej dritave që vezullojnë dhe simbolizojnë shpresën, reflektojmë mbi bujarinë solidaritetin dhe bashkimin tonë si komb dhe shoqëri. Krishtlindja është frymëzim që na kujton se edhe përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa… sipas shembullit të Shën Terezës le të kujdesemi jo vetëm sonte por gjatë gjithë vitit që vjen për ata që presin ndihmën tonë dhe kanë nevojë për ngrohtësi njerëzore… Kam pasur nderin të pritem ditë më parë në audiencë private nga Papa Leoni i 14-të. Gjatë këtij takimi përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimet e misionit të tij dhe ftesën e përzemërt për një vizitë në Kosovë. Në këtë frymë biseduam edhe për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndër-fetare, me përvojën historike të qëndresës, sakrificës dhe mbijetesës sonë. Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për të avancuar miqësinë tonë historike duke udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë, paqja, dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe respekti”, tha Osmani. /KP/