Ismaili: Këto janë masat konkrete për rritjen e mirëqenies në programin e Bedri Hamzës

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka vazhduar serinë e videove përmes të cilave u drejtohet qytetarëve, duke shpjeguar pikat kyçe të programit zgjedhor të PDK-së. Në videon e publikuar sot, Ismaili flet për masat konkrete që, sipas tij, synojnë rritjen e mirëqenies ekonomike për qytetarët dhe familjet në Kosovë, në kuadër të programit të kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza. “Programi i Bedri Hamzës parasheh rritjen e pagave për 50 për qind për të gjithë punëtorët e shërbimit publik. Po ashtu, do të ulen tatimet në paga, në mënyrë që të gjithë të kenë më shumë të ardhura në fund të muajit, përfshirë edhe punëtorët e sektorit privat”, thotë Ismaili. Ai shtoi se programi parasheh edhe rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale. “Do t’i rrisim të gjitha pensionet dhe ndihmat sociale për 50 për qind, me pension minimal prej 250 eurosh, si dhe do të shtyjmë përpara politika që e ulin koston e jetës dhe çmimet”, thekson ai. Në fund të videos, Ismaili u bën thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të mbështesin programin e PDK-së. “Më 28 dhjetor, filloni kapitullin e mirëqenies për ju dhe familjen tuaj. Votoni PDK 130, Bedri Hamza 1 dhe Uran Ismaili 2”, përfundon ai.