Fabregas zbulon arsyen e vërtetë pse Xabi Alonso po has në vështirësi te Real Madridi

Xabi Alonso po has vështirësi për të ruajtur rendin në dhomat e zhveshjes së Real Madridit, pasi aty ka plot lojtarë me emër të madh që besojnë se “e meritojnë” të jenë titullarë në çdo ndeshje, sipas ish-shokut të tij te kombëtarja e Spanjës, Cesc Fabregas. Trajneri i Comos ka shpjeguar arsyet pse mendon se bashkatdhetari i tij është vënë nën presion në “Bernabeu” këtë sezon. Sipas Fabregasit, i cili ka luajtur për Barcelonën, Arsenalin dhe Chelsean, vështirësia kryesore e Alonsos lidhet me faktin se ka në dispozicion një dhomë zhveshjeje të mbushur me yje. Në deklarata të cituara nga e përditshmja spanjolle Marca , 38-vjeçari, që ka luajtur përkrah Alonsos në triumfin e Spanjës në Kupën e Botës 2010 dhe në fitoret e Kampionateve Evropiane në 2008 dhe 2012, u shpreh në një dokumentar të fundit kushtuar karrierës së Alonsos. “Të gjithë janë shumë të mirë (lojtarët e Realit). Të gjithë e meritojnë të luajnë. Të gjithë mendojnë se duhet të luajnë. Të gjithë duhet të bëjnë diferencën. Të gjithë kushtojnë 50 milionë euro”. “Të gjithë luajnë për kombëtaret e tyre. Ta menaxhosh këtë, me siguri, është gjëja më e vështirë nga të gjitha”. Në të njëjtin dokumentar, duke rënë dakord me Fabregasin, ish-portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, tha: “Nuk është e lehtë, sidomos në një dhomë zhveshjeje si kjo. Por Xabi nuk e ka problem të të shikojë në sy dhe të t’i thotë gjërat ashtu siç janë”. Alonso do të shpresojë ta zbusë presionin mbi pozicionin e tij kur Reali të rikthehet në aksion në vitin 2026. “Los Blancos” presin Real Betisin e drejtuar nga Manuel Pellegrini në La Liga, të dielën më 4 janar, përpara se të përballen me rivalët e qytetit, Atletico Madridin, në gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës katër ditë më vonë./ Telegrafi /