Zaharova me narrativë të rrejshme  kundër Kosovës

Rusa vazhdon të deklarojë rrejshëm për çështjen e Kosovës dhe statusin e saj. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka propaganduar të mërkurën duke thënë se deklarata e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kalas, mbi respektimin e sovranitetit të Danimarkës dhe Grenlandës përbën "refuzim të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës“". Çfarë tha Zaharova? Zaharova deklaroi të mërkurën se Rusia e konsideron deklaratën e Kalas mbi Grenlandën si një refuzim nga BE-ja për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo e shkroi këtë në Telegram. "Deklaratën e konsiderojmë si refuzim të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës." Analizë: Bashkimi Evropian asnjëherë nuk e ka vënë në diskutim sovranitetin e Kosovës në dokumentet zyrtare apo praktikën politike. Përkundrazi, BE-ja trajton Kosovën si shtet dhe subjekt të veçantë ndërkombëtar, siç dëshmohet nga akte ligjore, procese politike dhe praktika institucionale. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SSP) me Kosovën, BE-ja ka krijuar një marrëdhënie kontraktuale me Kosovën si subjekt të veçantë, gjë që nuk është bërë as me një territor autonom tjetër në Evropë. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010 konfirmon se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Parlamenti Evropian ka bërë thirrje disa herë që pesë shtete të mbetura anëtare të BE-së të njohin Kosovën. Strategjia e BE-së trajton Kosovën si partner të barabartë në rrugën drejt integrimit evropian. Këshilli i BE-së ka vendosur të mundësojë udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës, që është një dëshmi tjetër se BE-ja e sheh Kosovën si shtet. Nga 27 shtete anëtare të BE-së, 22 njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Pra, pretendimi i Maria Zaharovës se BE-ja "refuzon njohjen e Kosovës“ është i pavërtetë.