Kosova ka shpenzuar mbi një miliard euro për import të energjisë elektrike nga viti 2017 deri në nëntor 2025, duke thelluar varësinë nga tregjet e jashtme dhe duke krijuar një deficit të madh tregtar në sektorin e energjisë. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në të njëjtën periudhë eksportet e energjisë kanë arritur vetëm 367.4 milionë euro, çka ka krijuar një bilanc negativ prej rreth 675 milionë eurosh, shkruan REL. Gjatë dekadës së fundit, Sllovenia ka qenë furnizuesi kryesor i energjisë elektrike për Kosovën, me mbi 375 milionë euro energji të eksportuar drejt vendit. Pas saj renditen Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa importet nga vende si Bullgaria, Greqia, Zvicra, Kroacia dhe Danimarka kanë qenë dukshëm më të ulëta. Viti 2022 shënon kulmin e importit, me mbi 218 milionë euro energji të blerë, ndërsa edhe viti 2025 (janar–nëntor) paraqet rritje të ndjeshme, me 247.8 milionë euro importe, niveli më i lartë i regjistruar deri tani. Ndërkohë, eksportet kanë qenë të paqëndrueshme dhe shumë më të ulëta krahasuar me importet. Përjashtim bën viti 2024, kur eksportet arritën në 150.7 milionë euro, duke iu afruar për herë të rrallë vlerës së importeve vjetore. Megjithatë, kjo rritje nuk ka mjaftuar për të përmbysur trendin afatgjatë të deficitit. Të dhënat nxjerrin në pah varësinë strukturore të Kosovës nga importi i energjisë elektrike, veçanërisht në vitet me prodhim të ulët vendor dhe çmime të larta në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/