Antigona Gashi - Kur dashuria flet gjuhën e shpirtit

Në poezinë e Antigona Gashit, dashuria nuk është as temë e konsumuar, as ndjenjë e thjeshtë romantike; ajo është gjendje e qenies, përjetim trupor dhe shpirtëror, kujtesë intime dhe lutje e heshtur. Vargu i saj lëviz mes butësisë dhe zjarrit, mes amësisë dhe erotikës, duke e shndërruar përvojën personale në gjuhë universale të ndjeshmërisë femërore Në një kohë kur fjala shpesh konsumohet shpejt dhe ndjenja relativizohet, poezia e Antigona Gashit vjen si një hapësirë qetësie, thellësie dhe intimiteti të ruajtur me përkushtim. Vargu i saj nuk kërkon zhurmë, por dëgjim; nuk imponon, por fton. Dashuria, trupi, besimi dhe kujtesa emocionale në poezinë e saj ndërtohen si përvoja të jetuara, jo si motive të sajuara, duke e vendosur autoren ndër zërat më autentikë të ndjeshmërisë bashkëkohore. Antigona Gashi (1993) është një nga zërat më të ndjeshëm të poezisë bashkëkohore shqiptare. Autore e tri vëllimeve - Meditime rinore, Udhëtim nëpër parajsë dhe Stërpikat e qumështit, ajo e ndërton vargun mbi dashurinë, besimin dhe përjetimin e brendshëm femëror. E diplomuar në menaxhimin e politikave të sigurisë, nënë dhe bashkëshorte, Antigona jeton mes disiplinës së mendjes dhe butësisë së shpirit. Në këtë intervistë, poetja flet për rrugëtimin e saj krijues, për dashurinë si gjuhë shpirti, për trupin dhe intimitetin në poezi, si dhe për raportin e ndërlikuar mes jetës së përditshme, besimit dhe vargut. Si nisi ky udhëtim i bukur i jetës suaj në artin krijues dhe si e shihni sot këtë rrugëtim që ka kaluar nëpër shumë dimensione emocionale, shpirtërore dhe krijuese? Ky rrugëtim filloi qysh në bankat e para të fillores, kur merrja lapsin dhe vizatoja aty-këtu ndonjë figurë zemre pa shprehje, vetëm më fliste lapsi. Aftësinë e të shprehurit, mësuesja ime e parë e kishte ndier thellë në shpirt. Ajo ishte e para që foli për mua para të gjithëve në mbledhjen e prindërve, ku të pranishëm në atë kohë ishin edhe prindërit e mi. Me gojën plot gëzim, tha: “Kjo vajzë është e lindur për dashuri” dhe vazhdoi duke folur me bindje: “Ka një dhunti të jashtëzakonshme, më besoni këtë që do t’ua them. Antigonës më tepër i flet mendja sesa gjuha - do të bëhet krijuese.” Siç duket, në atë kohë ajo kishte vulosur thellë bindjen ndaj meje dhe këtë bindje unë, kur u rrita, ia plotësova asaj, mësuese! Mbështetja e dytë erdhi nga prindërit dhe, në përfundim të shkollës së mesme, ku dallohesha si nxënëse shembullore për mësime, sjellje dhe edukatë, botova librin tim të parë me prozë poetike, “Meditime rinore”. Ishin fillet e para dhe poezitë e mia lexoheshin në gjithë qytetin. Kjo më dha motiv për vëllimin e dytë, por më të veçantin, ku tema kryesore fliste për dashurinë, erotikën si temë tabu në atë kohë. U cilësova për guximin e fjalës së shprehur pa shikuar mbrapa kush po leh, dhe e bëra! Nga shtypi doli libri i dytë, “Udhëtim nëpër parajsë”, i shprehur aq thellë, aq bukur, qartë, rrjedhshëm dhe me guxim, ashtu siç di poetja e dashurisë të shprehet. Asnjë rrugë nuk është e lehtë kur nis, por kur kap timonin me dy duar dhe vozit me kujdes, do të mbërrish në destinacion pa aksident. Kështu ndodhi edhe me mua. Rrugën që nisa e mendova mirë, e pata parasysh çdo kthesë, gropë e shenjë, dhe ja sot ku jam - nuk më flet më penda, por më flet vetë puna. Tri vëllimet tuaja poetike shënojnë etapa të ndryshme krijuese. Si ka evoluar zëri juaj poetik dhe cilat kanë qenë transformimet më të rëndësishme në ndërtimin e subjektit lirik dhe të gjuhës poetike? Shumë thjeshtë, ngadalë dhe me bindje, duke ecur me hapa që në atë kohë për mua ishin modernë, ndërsa për publikun tabu. Sot ndodh e kundërta: për mua është modernja, por tabuja e atëhershme isha unë. Tash s’kam çfarë të flas më; kanë folur mjaftueshëm në atë kohë poezitë e mia. Në librat tuaj, poezia prek ndjenja të thella si dashuria, miqësia dhe kujtesa emocionale. Cili nga këto cikle ka qenë më i vështiri për t’u shkruar dhe pse? Libri i parë i referohet dashurisë dhe dhimbjes njëkohësisht, si për shembull: dashuria për nënën, babain, të afërmit, bankat shkollore, njeriun dhe jetën si term i përgjithshëm. Për mua ka qenë më i lehti, do të thosha. Ndërsa vëllimi poetik “Udhëtim nëpër parajsë”, ku tema kryesore është dashuria deri në eros të thellë individual, për lexuesin ka qenë i vështirë dhe i papranueshëm në kohën kur u shkrua ky libër. Dhe për këtë, sot s’ka çmim që e paguan këtë lloj zhanri që shkrova unë. Ndërsa në librin e tretë, “Stërpikat e qumështit”, ku trajtohet e njëjta tematikë e erosit, poezitë jo vetëm që ngjallin ndjenjën si art, por prekin thellë edhe shpirtin e lexuesit. “Apo llavën ta lija / të piqet fryti në zjarr / të nesërmen ta mbaja në duar / ta përkundja / ta ndieja luhatjen e djepit / e t’i këndoja ninulla…”. Si e ndërtoni erotikën femërore në poezinë tuaj pa e zhveshur nga butësia, përkujdesja dhe dimensioni emocional? Ky varg flet qartë për gjuhën time poetike dhe për dëshirën e thellë për t’u bërë nënë. Është një ndjesi që bashkon erotikën me butësinë, përkujdesjen dhe dimensionin emocional të dashurisë. Një dëshirë për të cilën i jam falur Zotit dhe që sot e mbaj në duar e e dashuroj me gjithë qenien e shpirtit tim - fëmijën tim. Ma ka shtuar dhe gëzuar jetën; e dua më shumë se veten. Në disa vargje, dashuria duket se jeton më shumë në mendje dhe në zemër sesa në realitet. Si është ta përjetosh dashurinë në këtë gjendje të ndërmjetme? A lodhet shpirti nga pritja? Një zemër rreh si zog në kafaz, me krahë shprese dhe heshtje të gjata. Është një dashuri pa trup, por me peshë - peshën e mendimit dhe të pritjes. Po, shpirti lodhet: lodhet duke pritur një hap që nuk vjen, një fjalë që vonohet, një përqafim që jeton vetëm në imagjinatë. E megjithatë, edhe i lodhur, shpirti nuk e lëshon dashurinë, sepse ajo pritje, edhe kur dhemb, është mënyra e tij për të mbetur gjallë. “Pas shalimit të urës së zjarrit / dua që llavën ta hedh në bojëra / ta lyej trupin, të mos plakem.” A e shihni këtë varg si shprehje të erotikës që sfidon kohën dhe e rikrijon trupin si territor të dashurisë? Dashuria që jeton në mendje dhe në zemër nuk është mungesë realiteti, por forma e tij më e pastër. Ajo nuk e lodh shpirtin; përkundrazi, e mban gjallë. “Ai që dashuron me zemër e shpirt nuk plaket kurrë”, sepse çdo ndjenjë që lind nga trupi dhe përshkon qenien, në thelb, është dashuri. Dhe aty ku ka dashuri, pritja nuk shndërrohet në barrë, por në durim të bukur. Ju vini nga një formim akademik në një fushë racionale dhe strukturore. Si bashkëjeton kjo disiplinë mendore me intuitën poetike dhe ndjeshmërinë tuaj të lartë emocionale? Për mua janë dy botë në dukje të kundërta, por të menaxhueshme me shumë kujdes. Në jetën profesionale dhe në përditshmërinë familjare jam e ndërgjegjshme, strikte dhe me qëndrim serioz; jam e vështirë për t’u “kapur” dhe jo gjithkush ka privilegjin të ulet për një kafe me mua. Mjafton vetëm një gjë: të më dojë dhe të jetë i sinqertë. Ndërsa në poezi jam krejt tjetër - aty jam poete. Kur fjala kalon te penda, udhëhiqem nga një parim i vetëm: “Në luftë dhe në dashuri gjithçka është e lejuar.” Pikërisht aty, mes intuitës dhe ndjeshmërisë emocionale, gjej lirinë time të vërtetë krijuese. Në poezitë tuaja, ndjeshmëria femërore shfaqet e zhveshur nga mbrojtjet, por kurrë e dobët. Si e ndërtoni këtë ekuilibër mes brishtësisë emocionale dhe forcës së brendshme poetike? Flas nga përvoja personale: jo çdo fushë është e mbushur me lule; në të ka edhe therra. E pranoj se jam tepër e ndjeshme, me emocione të forta. Është diçka që nuk mund ta fsheh dhe as nuk dua ta fsheh, sepse e tillë jam e krijuar; kjo është bota ime, thjesht. Unë qaj me dënesë dhe qesh me zemër; bërtas, ulërij, çmendem, sëmurem; hesht dhe flas - dhe a e dini pse? Sepse kam shpirt. Unë shkruaj - dhe a e dini pse? Sepse ndihem. Sepse jam Artiste. Në krijimtarinë tuaj vërehet një prani e fortë e besimit dhe e dimensionit shpirtëror. Çfarë roli ka Zoti në jetën dhe poezinë tuaj, dhe si e ruani këtë dimension pa e shndërruar vargun në deklarim? Zoti për mua është vetë dashuria, sepse Ai që ma mbolli dashurinë në qenien time është, para së gjithash, vetë Krijuesi i dashur. Ky besim asnjëherë, në asnjë rrethanë, situatë apo sprovë, nuk më është lëkundur; përkundrazi, sa më shumë jam sprovuar, aq më shumë kam dashur. Sepse Ai më mëson. Sepse Ai më rrit. Ai më ka sprovuar shumë, aq shumë sa vetëm dashuria e Tij mund ta shpjegojë. Sepse sprova është mësim, e mësimi është dashuri e lartë. Kur jeta më rrëzoi përtokë nga stuhitë e forta që pati ndaj meje, ishte Zoti ai që zgjati dorën dhe më ngriti ngadalë; në gjirin e Tij m’i mjekoi plagët që m’i dha bota. Një Krijues që pati vesh të dëgjojë zërin tim, dëshmitar i ngjarjeve të mia të përditshme dhe, njëkohësisht, shpëtimtari im. Amësia është një nga përvojat më transformuese për një grua. Si e ka riformësuar ajo raportin tuaj me gjuhën poetike, me kohën dhe me konceptin e dashurisë në poezi? Për të më nderuar, Zoti ma fali ndjenjën e të qenit nënë - nënë e vërtetë, jo vetëm me fjalë, por me zemër, shpirt dhe vepra. Shtëpia pa fëmijë është si shtëpia pa çati; prania e tij i jep kuptim jetës, rrethit dhe familjes. E sa për poezinë, do të mund t’i shkruaja njëqind libra pa u ndalur, vetëm për të treguar ndjenjën se si është të kesh evlad. Çfarë ju ka munguar më shumë gjatë këtij rrugëtimi: një përqafim, një fjalë e thënë në kohën e duhur, apo një lexues që ta ndiejë poezinë ashtu siç është shkruar? Më ka munguar një lexues që ta ndiejë vërtet poezinë time dhe ta përjetojë ashtu siç është shkruar - pa më krahasuar mua brenda saj, por duke parë dhe ndier në varg mesazhin që jep poetja. Poezia e dashurisë shpesh perceptohet si e konsumuar tematikisht. Si i përgjigjeni kësaj qasjeje dhe si arrini ta mbani dashurinë të freskët, autentike dhe estetikisht sfiduese në vargun tuaj? Vargu im, sa herë lexohet, është po aq i freskët sa në çastin e parë kur është shkruar. Edhe pas shumë vitesh, nëse poezia jeton në sirtarin e lexuesit, dashuria dhe sharmi që i kam dhënë mbeten aty, të paprekura nga koha. Dhe kur rilexohet, ajo është e njëjtë, si vetë poetja që e ka shkruar. Dashuria është boshti tematik i krijimtarisë suaj poetike. Si e konceptoni atë në raport me poezinë: si përvojë personale, si kategori estetike, apo si akt shpirtëror që e tejkalon individualen? Si akt shpirtëror, sepse dashuria thyen të gjitha ligjet e botës. Asnjë gjykatë nuk mund të më gjykojë kur bëhet fjalë për dashurinë. Si poete, kur trajtoj tematika të ndryshme të jetës, të shndërruara në përralla apo forma imagjinare, gjithmonë përcjell një mesazh të fortë në çdo varg dhe në çdo fjali për realitetin e shekullit ku jetojmë sot. Për disa ky realitet ende mbetet tabu, por për mua, si krijuese e këtij zhanri, aspak. Poezitë e mia bartin një mesazh të fuqishëm edukativ për ata që dinë të mendojnë thellë. Stili i shkrimeve të mia ka qenë i njëjtë si atëherë, ashtu edhe sot. Ajo që kam thënë në poezi para dhjetë vitesh, mendoj se sot kuptohet më qartë se kurrë. Lexuesi tashmë e ka pranuar poeten ashtu siç është, jo ashtu si do të donin të ishte. Asnjëherë, gjatë këtyre viteve, nuk jam dorëzuar; kam qenë tepër e kujdesshme se çfarë t’i jap lexuesit - jo turpësi. Kur lexohet poezia ime, aty mbretëron heshtja dhe, në fund, fillon duartrokitja. Për këtë jam thellësisht mirënjohëse ndaj lexuesve të sinqertë që e deshën dhe ende e kërkojnë poezinë time si pjesë të jetës së tyre të përditshme. Familja është ndjenja më e shëndoshë dhe më e ëmbël që kam krijuar. Ajo vetëm ia ka shtuar emblemën vargut tim dhe e ka bërë më të pjekur e më të fuqishëm, falë dashurisë së madhe që kemi ndaj njëri-tjetrit. Po jua them me bindje të plotë: burri ka qenë shtylla kryesore që vargu im të lulëzojë; ai më ka bërë të kuptoj se çfarë do të thotë ta dashurosh poeten pa paragjykim. Unë, si një spektatore e vëmendshme e jetës sonë, i kam dhënë kësaj familjeje edukatë dhe dashuri të pakufizuar. E djali… Ah… djali është vetë poezia ime e gjallë! Çfarë kërkoni nga lexuesi juaj ideal: ndjeshmëri, përfshirje emocionale, apo një lexim të qetë reflektiv? Nga lexuesi im ideal kërkoj, para së gjithash, sinqeritet. Më mirë të kuptohem unë si krijuese sesa të keqkuptohem. Edhe pse nuk ndalem gjatë te paragjykimet e kota, dua të pranohem ashtu siç jam, jo ashtu siç do të dëshironte dikush të më ndryshonte. Dua që kushdo që lexon poezitë e mia, në fund të secilës, të largohet me një buzëqeshje të ngrohtë dashurie dhe afrimiteti. Nëse ka dikush që do të më gjykojë, le ta bëjë lexuesi im i mençur, sepse jo çdokush arrin t’i kuptojë këto poezi; ato i përkasin një leximi të thellë dhe një ndjeshmërie të vërtetë, jo paragjykimit. Nëse do ta përkufizonit poezinë tuaj me një koncept estetik ose filozofik, cili do të ishte ai dhe pse? Poezinë time e përkufizoj si një akt shpirtëror të çliruar nga frika. “Nuk ka virus më të rrezikshëm se frika; dashuroni pa frikë dhe dashuria do të lulëzojë në shpirt”, është thelbi që më udhëheq. Zoti më fali një ndjeshmëri të thellë dhe aftësinë për ta shprehur atë me dashuri të vërtetë. Nuk pranoj dashurinë e rreme apo atë të ndërtuar mbi frikë. Kujt poetja zgjedh t’ia dhurojë dashurinë, atij ia fal gjithë fuqinë e vargut plot ndjenjë. A mendoni se poezia mund të ketë ende një funksion shërues në shoqërinë moderne, dhe nëse po, si e realizon këtë funksion poezia juaj? Po, poezia ka ende një funksion shërues. Në një kohë kur interesi shpesh ia zë vendin dashurisë, poezia ime flet qartë: brenda saj gjendet ilaçi i dashurisë. Dashuria që jeton në vargun tim prej kohësh i ka kthyer shpinën interesit, si atëherë ashtu edhe sot. Thjesht, dua pa peshore dhe pa pikë. Cilat janë pasionet tuaja jashtë poezisë dhe në ç’mënyrë ato ushqejnë universin tuaj krijues? Pasionet e mia jashtë poezisë lidhen ngushtë me botën e estetikës dhe zbukurimit. Kukullat, orët, qaforet, çantat dhe takat elegante janë më shumë se objekte për mua, janë frymëzim. Në secilën prej tyre shoh një histori, një ritëm, një ndjenjë që mund të shndërrohet në varg poetik. Ato ushqejnë universin tim krijues duke i dhënë formë dashurisë për detajin, bukurinë dhe finesën femërore. Përmes tyre, pasioni për zbukurimin bëhet poezi dhe poezia merr një shkëlqim të ri. Cili është horizonti juaj i ardhshëm krijues: a po lëvizni drejt një forme tjetër shprehjeje, apo thellimit të mëtejshëm të vargut të dashurisë? Horizonti im krijues, pa dyshim, mbetet i njëjtë: derisa të kem frymë, do t’i këndoj me vargje ndjenjës më të ëmbël - dashurisë. Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më shumë poezia ime do të piqet. Me këtë mendim e përmbyll këtë intervistë: ma jep një ndjenjë plot dashuri dhe unë ta dhuroj një mijë poezi. /Telegrafi/