Artisti shkodran Vlashent Sata ka prezantuar së fundmi këngën e tij më të re, Duart lart, një krijim muzikor me ngarkesë të fortë emocionale që trajton një nga temat më të dhimbshme të kohës sonë: luftërat dhe pasojat e tyre mbi fëmijët. Kënga është publikuar e shoqëruar me një klip muzikor dhe është interpretuar live disa ditë më parë në skenën e Festivali i Këngës, në Radio Televizioni Shqiptar, ku Sata solli një performancë të përmbajtur, por thellësisht tronditëse, që u prit me vëmendje nga publiku dhe kritika. “Duart lart” buron nga një imazh që, sipas artistit, nuk e la të qetë. Ai rrëfeu se frymëzimi erdhi nga pamja e një ushtari që mbështet pushkën mbi trupin e një djali 8 ose 9 vjeçar, i plagosur, i cili bie në gjunjë, vendos dorën mbi plagë dhe thërret të atin derisa shtrihet dhe ndërron jetë. “Ishte një imazh që nuk më la për të fjetur. U çova dhe e shkrova këtë këngë. Ne vijmë nga gjenocidi ynë në Kosovë, vijmë nga ’97-ta dhe kemi jetuar në luftë. Është absurditet që lufta të jetë ende aktualitet në vitin 2025”, u shpreh Vlashent Sata gjatë Festivalit të RTSH-së. - YouTube youtu.be Përmes kësaj kënge, artisti ndërton një narrativë muzikore që nuk synon thjesht të tregojë dhimbjen, por të nxisë reflektim dhe ndërgjegjësim për realitetet që vazhdojnë të përsëriten, pavarësisht përvojave historike të shoqërive që kanë kaluar vetë nëpër luftë dhe gjenocid. Në aspektin muzikor, “Duart lart” mbështetet në një interpretim intim dhe minimalist, ku pianoja dhe orkestrimi i harqeve krijojnë një atmosferë të zymtë, duke i lënë hapësirë mesazhit dhe zërit të artistit të udhëheqin rrëfimin. Kënga është kompozuar dhe interpretuar nga vetë Vlashent Sata, me orkestrimin e harqeve nga Giuseppe Vasapolli, ndërsa mix-i dhe masterizimi janë realizuar respektivisht nga Riccardo Piparo dhe Roberto Romano. Klipi muzikor, i prodhuar nga BonfilmCC, me koncept dhe regji nga Dojna Mema dhe Bjori Thana, përforcon vizualisht mesazhin e këngës përmes një qasjeje të matur dhe simbolike. - YouTube youtu.be Me “Duart lart”, Vlashent Sata vazhdon të pozicionohet si një artist që përdor muzikën si mjet reagimi qytetar dhe kujtese kolektive, duke i dhënë zë atyre që shpesh mbeten të padëgjuar në rrëfimet e mëdha të luftës. /Telegrafi/