Neymar ka dhënë një “premtim” të rëndësishëm për Brazilin në prag të Kupës së Botës 2026 në Amerikën e Veriut, duke i dërguar një mesazh të qartë edhe përzgjedhësit të kombëtares, Carlo Ancelottit. Pasi ndihmoi Santosin të shmangë rënien nga kategoria në elitën e futbollit brazilian, pavarësisht se u përball me probleme në gju gjatë javëve të fundit të sezonit, sulmuesi 33-vjeçar iu nënshtrua një operacioni në gju më herët këtë javë. Pas vështirësive me gjurin në fund të kampionatit brazilian, Neymar u operua të hënën, ndërsa ndërhyrja kirurgjikale u krye nga mjeku i përfaqësueses së Brazilit, Rodrigo Lasmar. Santos nuk ka dhënë ende një afat të saktë për rikthimin e sulmuesit, por sipas Globo Esporte , ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit do të ketë nevojë për deri në një muaj për t’u rikuperuar plotësisht dhe për t’u kthyer në stërvitje. Neymar nuk ka luajtur për Brazilin që nga shtatori i vitit 2023, kur pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë, por ai është i vendosur të rikthehet dhe të zërë vend në skuadrën e Carlo Ancelottit që do të udhëtojë drejt Amerikës së Veriut për Kupën e Botës 2026. Gjatë një paraqitjeje publike me këngëtarin Thiaguinho, Neymar iu drejtua kombit brazilian me një premtim. “Do të bëjmë gjithçka të mundur, madje edhe të pamundurën, për ta rikthyer këtë Kupë Bote në Brazil. Në korrik mund të më mbani përgjegjës”. “Hajde, Ancelotti, na ndihmo pak, në rregull? Nëse arrijmë në finale, premtoj se do të shënoj”, ka deklaruar Neymar. Edhe pse ylli i Santosit mbetet optimist për të marrë pjesë në Kupën e tij të katërt të Botës me Brazilin vitin e ardhshëm në Amerikën e Veriut, pjesëmarrja e tij nuk është ende 100 për qind e sigurt, pasi mbetet për t’u parë nëse Ancelotti do ta përfshijë sulmuesin veteran në listën përfundimtare të turneut./ Telegrafi /