Sadiku: Vota nuk është mall, shteti nuk guxon të shndërrohet në bankomat elektoral

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për ndarjen e shtesave prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët, duke e cilësuar këtë si përpjekje për blerje të vullnetit qytetar në prag të zgjedhjeve. Sadiku ka deklaruar se vullneti i qytetarëve nuk shitet dhe nuk blihet, ndërsa shteti nuk mund të përdoret për interesa të ngushta elektorale. Sipas tij, i njëjti pushtet që ka rritur çmimet e produkteve esenciale, ka shtrenjtuar energjinë elektrike dhe ka varfëruar qytetarët, po përpiqet të paraqitet si shpëtimtar vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Ai ka theksuar se ndonëse ndihma financiare është e nevojshme për shumë familje, qytetarët kanë nevojë më të madhe për arsim dhe shëndetësi cilësore, zhvillim të qëndrueshëm dhe trajtim dinjitoz, gjëra që, sipas tij, kjo qeveri nuk ka arritur t’i ofrojë për pesë vite. Sadiku ka shtuar se në vend të reformave dhe zhvillimit, qytetarëve u janë servirur bllokada dhe izolim, ndërsa zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të jenë momenti i përgjigjes qytetare. “Stagnuesit dhe bllokuesit duhet ta marrin përgjigjen. Duhet ta marrin JO-në e madhe për papërgjegjësinë ndaj shtetit dhe për transaksionet elektorale me taksat e qytetarëve”, ka theksuar Sadiku.