Abdixhiku: Kodra e Trimave dhe Prishtina po flasin qartë për LDK-në

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar mbështetjen e madhe të qytetarëve në Kodrën e Trimave dhe lagjen Vranjevc në Prishtinë, duke e cilësuar tubimin si dëshmi të qartë të përkrahjes për LDK-në në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Në një reagim publik, Abdixhiku theksoi se atmosfera dhe mobilizimi qytetar në Vranjevc “i lanë të gjithë pa fjalë”, duke shtuar se Kodra e Trimave dhe Prishtina po flasin qartë për orientimin e tyre politik. Sipas tij, Dega I e LDK-së në Prishtinë po përfaqësohet nga kandidatë të dëshmuar, me përvojë institucionale dhe angazhim të vazhdueshëm qytetar, veçanërisht në fushat e arsimit, qeverisjes lokale dhe jetës politike. Në listën e LDK-së nga kjo degë përfshihen Ismet Beqiri me numër 37, Fadil Aliu me numër 50, Besë Prestreshi me numër 51 dhe Nafie Rusinovci me numër 108. LDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë takimet me qytetarë në të gjitha lagjet e kryeqytetit, duke kërkuar mbështetje për zgjedhjet e 28 dhjetorit.