Bekim Hamëz Jashari ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa individëve dhe politikanëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, po përbuzin veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri të vendit, duke i krahasuar ato me krimet e regjimit të Millosheviqit. Në një reagim publik, Jashari ka theksuar se një krahasim i tillë nuk përbën as padije e as lapsus politik, por një fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Sipas tij, është e papranueshme që veprimet e një shteti sovran, i cili po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës, të barazohen me sundimin dhe shtypjen e përgjakshme të Serbisë ndaj shqiptarëve. Jashari ka vlerësuar se deklarata të tilla i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë, e cila, sipas tij, synon ta shohë Kosovën të përçarë, të zhytur në konflikte të brendshme dhe të larguar nga interesat e saj vitale shtetërore. Ai ka shtuar se populli i Kosovës i njeh mirë figurat publike dhe veprimet e tyre ndër vite, veçanërisht në momentet më të vështira për vendin, duke theksuar se historia nuk mund të fshihet me deklarata ditore dhe as të rishkruhet për interesa politike afatshkurtra. Në fund, Bekim Hamëz Jashari ka bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se politika duhet të shërbejë si mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo si instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime të ngushta partiake. Sipas tij, Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm dhe me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, e jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra./Telegrafi.