Ermal Sadiku kritikon stagnimin në digjitalizim dhe prezanton planin e tij për transformim

Ermal Sadiku, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kritikuar ashpër mungesën e progresit në digjitalizimin e shërbimeve publike në vend, duke theksuar se deri më tani nuk ka avancim as në arsim, as në shëndetësi dhe as në administratë. Sadiku ka thënë se, përtej llafeve dhe premtimeve për reforma, nuk ka as ide konkrete, as plan e as përpjekje reale për transformim digjital. “Ne kemi vizionin dhe planin për secilën fushë. E njohim fuqinë e teknologjisë, dimë rëndësinë e digjitalizimit dhe jemi të vetëdijshëm se si përmes tyre lehtësohen shërbimet dhe fuqizohet qytetari,” ka theksuar ai. Ai gjithashtu ka prezantuar në një video hapat konkretë që do të ndiqen për të avancuar digjitalizimin e institucioneve dhe për të lehtësuar shërbimet për qytetarët. Sadiku ka bërë të ditur se ky plan është i qartë dhe nuk ka kohë për të humbur, duke e paraqitur atë si një prioritet kryesor të programit të tij për deputet.