Specialja nuk e lejoi ta vizitonte, vdes babi i Salih Mustafës

Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafes, ka ndërruar jetë. Lajmin e ka konfirmuar Hysni Gucati, kryetari i OVL e UÇK-së, i cili shprehu ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e të ndjerit. Gucati në një postim në rrjetet sociale shkruan se dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak se djali i të ndjerit, Salih Mustafa, nuk ka mundur ta vizitojë babanë në momentet e fundit për shkak të situatës me Gjykatën Speciale. "Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja. Pusho në paqe, Bace!", ka shkruar Gucati. Ndërkaq në një reagim OVL UÇK ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit. "Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale", thuhet në reagim. OVL e UÇK-së shton se mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. "Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar. Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja", thuhet në reagim. I ndjeri ishte tash e një kohë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa djalit të tij, ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili gjendet në burg në Gjykatën Speciale, nuk iu lejua vizita ditë më parë. /Telegrafi/