BDI: Ivan Stoilkoviq ka larguar shtatë punonjës shqiptar nga Ministria për Marrëdhënie në mes Bashkësive

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thekson se ministri Ivan Stoilkoviq, ka larguar nga puna shtatë punonjës shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucion sipas BDI-së, themelor për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për garantimin e barazisë ndëretnike në vend. Nga BDI thonë se ky vendim përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimeve të barazisë, bashkëjetesës dhe përfaqësimit të drejtë, dhe nuk mund të justifikohet me arsyetime të pavërteta dhe fyese për opinionin publik, siç është pretendimi për një të ashtuquajtur “masë disiplinore”. "Në kushte kur punonjësve u mohohen elementet më bazike për punë – zyra funksionale, karrige, pajisje teknike dhe detyra konkrete – çdo masë e tillë është farsë administrative dhe dëshmi e një qëllimi të paramenduar diskriminues. Që nga dita e parë e formimit të kësaj Qeverie dhe marrja e këtij dikasteri nga ministri Stoilkoviq, punonjësit shqiptarë flasin për një realitet të njohur tashmë: izolim të qëllimshëm në një kat të vetëm të ministrisë, mungesë totale të kushteve bazë të punës, presion të vazhdueshëm psikologjik dhe frikë permanente nga largime selektive. Vendimi i sotëm vetëm sa e konfirmon këtë praktikë të qëndrueshme dhe të mirëorganizuar". "Ironia është tronditëse dhe politikisht e rrezikshme: ministria që ka për mision mbrojtjen e barazisë ndëretnike po shndërrohet, me vetëdije, në shembull flagrant të shkeljes së saj. Ky veprim nuk është as i rastësishëm dhe as individual, por pasqyron një qasje që cenon drejtpërdrejt frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit". "BDI e vlerëson këtë situatë jo si një problem të thjeshtë administrativ, por si alarm serioz politik dhe shoqëror, dhe që rrezikon marrëdhëniet ndëretnike. Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ministrin Stoilkoviq, por edhe mbi partnerët e tij qeveritarë, në veçanti OBRM-PDUKM - VLEN, heshtja e të cilëve përballë këtij skandali është po aq alarmante sa vetë veprimet e ministrit dhe përbën bashkëpërgjegjësi politike", thonë nga BDI.