Distributori Union sh.p.k. ka lëshuar një komunikatë për shtyp duke e informuar opinionin publik lidhur me sigurinë dhe cilësinë e formulës për fëmijë Aptamil AR 1, i cili është në treg me datën e skadencës 17.05.2026 dhe lotin 111444865. Në reagim ndaj shqetësimeve të mundshme për cilësinë e produktit, kompania ka siguruar se Aptamil AR 1 është një produkt i sigurt dhe i kontrolluar. "Të gjitha formulat për fëmijë të markës Aptamil prodhohen duke respektuar standardet e larta të sigurisë dhe cilësisë, dhe se janë në përputhje me rregullat më të ashpra evropiane për sigurinë e ushqimit", thuhet në njoftim. AUV: Aptamil AR1 i sigurt për konsum, lejohet sërish në treg Pas shqetësimit të ngritur nga autoritetet kompetente në Republikën e Kosovës dhe Kroaci lidhur me një seri të caktuar të produktit Aptamil AR 1, kompania ka realizuar analiza të thelluara dhe ka konfirmuar se produktet janë të sigurta për konsum. Autoritetet e inspektoratit të ushqimit dhe agjencitë përkatëse kanë dhënë gjithashtu miratimin për vazhdimin e shpërndarjes së produktit në treg. Union sh.p.k. i bën thirrje mediave dhe konsumatorëve të sigurohen që çdo informacion të vijë vetëm nga burime të verifikuara, për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve. Për më shumë informacion, konsumatorët mund të kontaktojnë Union sh.p.k. përmes kanaleve të tyre të komunikimit të verifikuara. /Telegrafi/