Kosova do të mbajë Zgjedhjet Parlamentare më 28 dhjetor, me një proces të rregulluar në disa faza të qarta ligjore, nga hapja e vendvotimeve deri te certifikimi final i rezultateve. Këto zgjedhje po mbahen pasi Kuvendi i Kosovës u shpërbë si rrjedhojë e moskrijimit të institucioneve pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt. Presidentja Vjosa Osmani vendosi datën pas dështimit të negociatave për qeveri, një lëvizje që pasoi muaj bllokadë politike në institucionet e vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me të dhëna zyrtare për procesin zgjedhor. 2,076,290 persona me të drejtë vote janë regjistruar për votim. Brenda vendit votimi do të organizohet në 948 qendra votimi me 2,614 vendvotime. Jashtë Kosovës, votimi fizik është parashikuar në 16 ambasada dhe 13 konsullata. Mbi 76,000 aplikime janë miratuar tashmë për votim nga diaspora (përfshirë edhe votim me postë). Për këto zgjedhje janë certifikuar gjithsej 22 subjekte politike, duke përfshirë 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur. Komisioni gjithashtu ka akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar procesin. Institucionet përgjegjëse kanë paraparë mekanizma mbikëqyrës dhe procedura standarde për të garantuar transparencë dhe integritet zgjedhor. Procesi i votimit nis në orën 07:00 të mëngjesit me hapjen e vendvotimeve në të gjithë territorin e Kosovës. Qytetarët me të drejtë vote identifikohen përmes dokumenteve zyrtare dhe votojnë në mënyrë të fshehtë. Mënyrat për të plotësuar formularin për votim janë këto: Sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur në pjesën e pasme, në anën e majtë, shënjoni vetëm një subjekt politik, në anën e djathtë, shënjoni deri në dhjetë kandidatë të atij subjekti politik dhe paloseni fletëvotimin dhe vendoseni në kutinë e votimit. Pas mbylljes së vendvotimeve, fillon numërimi i votave në vendvotim. Fillimisht numërohen votat për subjektet politike, pastaj ato për kandidatë për deputetë, ndërsa rezultatet regjistrohen në formularë zyrtarë dhe dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces monitorohet nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe nga përfaqësues të subjekteve politike. Rezultatet e para të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konsiderohen preliminare. Ato pasohen nga faza e ankesave dhe verifikimeve, përfshirë rinumërime eventuale dhe shqyrtimin e votave me kusht, votave nga diaspora dhe atyre me postë. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave, KQZ shpall rezultatet përfundimtare. Certifikimi final i rezultateve shënon përmbylljen e procesit zgjedhor dhe hap rrugën për formimin e institucioneve të reja. Sipas afateve ligjore, ky hap realizohet vetëm pasi të jenë trajtuar të gjitha ankesat dhe të jenë verifikuar të dhënat zgjedhore. Zgjedhjet e 28 dhjetorit konsiderohen test për funksionimin institucional dhe besimin publik në procesin demokratik, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë deklaruar se janë të përgatitura për mbarëvajtje të rregullt dhe transparente të procesit. /Telegrafi/