Papa feston Krishtlindjet me thirrje për paqe në Gaza dhe Ukrainë

Papa Leo XIV festoi Krishtlindjet e para që nga zgjedhja e tij duke denoncuar vuajtjet e popullit të Gazës dhe duke bërë thirrje që armët të heshtin në Ukrainë. Ditën e Krishtlindjeve, Papa i parë i lindur në SHBA, ofroi bekimin tradicional “Urbi et Orbi” (“Për Qytetin dhe Botën”) nga ballkoni i Katedrales së Shën Pjetrit, duke vëzhguar një botë të mbushur me konflikte nga Jemeni në Mianmar dhe duke bërë thirrje për dhembshuri ndaj atyre që kanë ikur nga atdheu i tyre për të kërkuar një të ardhme në Evropë dhe Amerikë. Papa filloi duke kërkuar “drejtësi, paqe dhe stabilitet” për Libanin, territoret palestineze, Izraelin dhe Sirinë. Bëhet e ditur se që nga zgjedhja e tij, Leo ka theksuar gjendjen e vështirë të atyre që vuajnë në Gaza dhe ka folur hapur duke bërë thirrje për një trajtim më të mirë të emigrantëve. Leo e përdori gjithashtu bekimin e tij të Krishtlindjeve për t'u lutur për "popullin e Ukrainës", i cili i ka rezistuar pushtimit të Rusisë për gati katër vjet. "Uroj që zhurma e armëve të pushojë dhe palët e përfshira, me mbështetjen dhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për t'u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe të respektueshëm", tha Leo. Në predikimin e tij, Leo foli për “urtësinë” e historisë së Krishtlindjeve, duke thënë se “ndërsa njerëzimi kërkon të bëhet “zot” për të dominuar të tjerët, Zoti zgjedh të bëhet njeri për të na çliruar nga çdo formë skllavërie. Një ditë më parë, Papa tha se ndiente “shumë trishtim” që Rusia nuk kishte rënë dakord për një armëpushim të Krishtlindjeve në luftën e saj kundër Ukrainës, duke thënë se shpresonte për “të paktën 24 orë” paqe. /Telegrafi/