Kurti nga Kamenicë: Kontroll të plotë një herë në vit për secilin qytetar

Në Kamenicë, kandidati për kryeministër Albin Kurti, takoi profesionistë të shëndetësisë dhe arsimit. Para tyre prezantoi punët e këtij mandati dhe zotimet për mandatin e ardhshëm. Kurti tha se fokusi i Qeverisë për spitalet dhe poliklinikat e reja do të vazhdojë, kjo duke theksuar se nga viti i ardhshëm synohet të realizohet kontroll i plotë mjekësor për çdo qytetar, si dhe rritja e buxhetit për barnat esenciale në 100 milionë euro, ku rreth 80% e kostos do të mbulohet nga shteti. Sa i përket arsimit, Kryeministri i njoftoi të pranishmit se pritet të ketë rritje të investimeve për të gjitha nivelet, duke përfshirë këtu rritjen e buxhetit për bursa, shtimin e profileve në arsimin dual dhe krijimin e një platforme me profile individuale për të diplomuarit, për t’ua lehtësuar qasjen në tregun e punës. /Telegrafi/