BDI akuzoi Mickoskin për heqjen e "Balancuesit", ai u përgjigj se ndarjet etnike nuk janë pjesë e qasjes së tij

Në seancën e sotme të pyetjeve parlamentare në Kuvend, deputetja Rina Ajdari nga Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski, duke pretenduar se qeveria aktuale hoqi përfaqësimin e drejtë etnik dhe miratoi një ligj pa peshë të vërtetë ligjore, përcjell Telegrafi Maqedoni. Ajdari theksoi se dy vjet më parë, në seancën e parë të Kuvendit të ri, u hoq "Balancuesi", i cili, sipas saj, siguronte punësim të drejtë për të gjitha komunitetet etnike. "Për gati dy vjet, shteti ka funksionuar pa mbrojtje ligjore për shqiptarët dhe komunitetet e tjera në punësim. Skandali bëhet edhe më i madh nëse marrim parasysh se në Ministrinë e Marrëdhënieve Ndër-Komunitete - një institucion përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri Ivan Stoilkoviq shkarkoi shtatë punonjës. Ky është diskriminim i pastër, për të cilin asnjë përfaqësues i Qeverisë nuk e ngriti zërin. Ky ligj, i cili është shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe komunitetet e tjera, u vu në duart e profesoreshës Karakamisheva, e cila njihet si nacionaliste kundër shqiptarëve", tha Ajdari. Në përgjigjen e tij, kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë akuzat dhe theksoi se "nuk është e vërtetë" që balancuesi u shfuqizua me ardhjen e qeverisë së tij. Mickoski theksoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën që qeveria e BDI-së dhe LSDM-së, ku zëvendëskryeministër i parë ishte Artan Grubi, rekomandoi të hiqet balancuesi dhe për këtë BDI u detyrohet me kërkim falje para së gjithash qytetarëve shqiptarë, ndërsa Ligji për përfaqësim të drejtë të cilin e përgatiti kjo Qeveri mori rekomandim pozitiv nga Komisioni i Venecias, kurse vendimet e komisionit zbatohen sipas metodologjisë për aderim drejt BE-së. "Nuk është e saktë dhe nuk është e vërtetë që me ardhjen e kësaj Qeverie është fshirë instrumenti "Balancues", e vërteta është se Qeveria në të cilën ishte BDI-ja, ndërsa zëvendëskryeministër apo zëvendëskryeministër i parë ishte Artan Grubi, në një mbledhje ka sjellë vendim me të cilin e fshin dhe jep mendim se duhet të fshihet instrumenti "Balancues". E njëjta gjë më pas është përfshirë në raportin e skriningut të Bashkimit Evropian, kjo është e vërteta dhe të gjithë qytetarët në mbarë shtetin, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, duhet ta dinë të vërtetën sepse meritojnë ta dinë atë", potencoi kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve nga ana e deputetes Rina Ajdari nga BDI. Mickoski poashtu tha se nuk do të hyj në ndarje etnike sepse kjo nuk është pjesë e karakterit tij. "E kam thënë këtë shumë herë dhe do ta përsëris: si Kryetar Qeverie unë jam i të gjithë qytetarëve pa dallim të ndarjeve politike, etnike apo fetare dhe kështu do të vazhdoj të sillem sepse kjo është e rëndësishme për mua", deklaroi kryeministri Mickoski. /Telegrafi/