Sean “Diddy” Combs paraqet apel duke kërkuar lirimin e menjëhershëm nga burgu.

Sean “Diddy” Combs i ka kërkuar një gjykate apeli që ta lirojë nga burgu dhe të rrëzojë dënimin e tij për dy vepra penale të lidhura me prostitucionin. Në një parashtresë gjyqësore për një apel të përshpejtuar, avokatja e manjatit të repit argumentoi se ai është dënuar në mënyrë të gabuar dhe se sjellja që çoi në dënimin e tij nuk përbënte vepër penale. Avokatja Alexandra Shapiro e quajti dënimin prej 50 muajsh burg për Combs-in “të paligjshëm, antikushtetues dhe një përmbysje të drejtësisë”. Ajo i kërkoi gjykatës së apelit që të urdhërojë ridënimin e Combs-it, në rast se trupi gjykues nuk vendos ta rrëzojë plotësisht dënimin e tij. Kjo kërkesë është përpjekja më e fundit e ekipit të tij ligjor për të ulur dënimin ose për ta hedhur poshtë atë. Distrikti Jugor i New Yorkut, i cili e ndoqi penalisht Combs-in, refuzoi të komentojë mbi kërkesën drejtuar Gjykatës së Apelit të Qarkut të Dytë. Avokatët e Combs-it kishin deklaruar më herët se do të apelonin si dënimin, ashtu edhe vendimin e fajësisë. Prokurorët federalë në New York-ut e akuzuan Combs-in se kishte përdorur paranë, pushtetin dhe kërcënimin me dhunë për të detyruar gra të përfshiheshin në marrëdhënie seksuale të padëshiruara. Gjatë një gjyqi shumë të ndjekur këtë pranverë, juria dëgjoi dëshmitë e dy ish-partnereve të Combs-it, Cassie Ventura dhe një gruaje që dëshmoi nën pseudonimin “Jane Doe”. Ato deklaruan se Combs i kishte abuzuar dhe i kishte detyruar të merrnin pjesë në të ashtuquajturat “freak-offs” me eskorta meshkuj. Juria e shpalli Combs-in të pafajshëm për dy akuzat më të rënda: komplot për krim të organizuar (racketeering conspiracy) dhe trafikim seksual. Megjithatë, ai u shpall fajtor për dy akuza të transportimit për t’u përfshirë në prostitucion. Në shtator, pas shpalljes së fajësisë, Combs i kërkoi gjyqtarit Arun Subramanian të shqyrtonte një shpallje pafajësie ose zhvillimin e një gjyqi të ri, duke ngritur kundërshtime lidhur me mënyrën se si u përdor për ndjekjen penale të tij një ligj kundër prostitucionit, i njohur si Akti Mann. Kjo kërkesë nuk pati sukses. Para shpalljes së dënimit, avokatët e Combs-it argumentuan se ai duhej të merrte një dënim të shkurtër, që praktikisht do të barazohej me kohën e kaluar tashmë në paraburgim, një kërkesë që do t’i kishte hapur rrugën lirimit të shpejtë. Prokurorët, megjithatë, i kërkuan gjykatës ta dënonte Combs-in me të paktën 11 vite burg.