Rukiqi propozon subvencionimin e kredive për banesa si zgjidhje për familjet e reja

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka prezantuar një qasje alternative për zgjidhjen e çështjes së banimit, duke theksuar se fokusi nuk duhet të jetë te ndërtimi i banesave sociale, por te përkrahja direkte për familjet e reja. Rukiqi ka propozuar subvencionimin e kamatës për çdo kredi për blerjen e banesave nga çiftet e reja, duke vlerësuar se një masë e tillë do ta bënte jetën më të përballueshme për familjet dhe njëkohësisht do të krijonte qarkullim në ekonomi. Sipas tij, pamundësia për të blerë një pronë për banim është një nga arsyet kryesore që shtyn të rinjtë drejt migrimit. Ai ka theksuar se përkrahja financiare për banim do të ndihmonte në mbajtjen e të rinjve në vend dhe në krijimin e kushteve më të mira për jetesë dhe zhvillim. Rukiqi ka bërë të ditur se kjo qasje është pjesë e vizionit të tij politik për forcimin e familjes, nxitjen e ekonomisë dhe adresimin e sfidave sociale që po përballen të rinjtë në Kosovë.