Derbi katalanas u shpall ndeshje me rrezik të lartë për shkak të portierit të Barcelonës

Derbi i madh katalanas ndërmjet Espanyolit dhe Barcelonës, që do të zhvillohet më 3 janar në stadiumin RCDE, është shpallur zyrtarisht si ndeshje me rrezik të lartë. Shkak kryesor për këtë vendim është portieri i Barcelonës, Joan Garcia, i cili gjatë verës iu bashkua kampionëve aktualë pikërisht nga Espanyoli për shumën e 25 milionë eurove. Ky transferim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët e klubit vendas, duke rritur tensionin para përballjes. Në këtë kontekst, Espanyoli po punon intensivisht në koordinim me autoritetet për të forcuar masat e sigurisë, me qëllim që rikthimi i Garcias në RCDE Stadium të mos shndërrohet në burim incidentesh që mund të kenë pasoja serioze për klubin dhe për mbarëvajtjen e sezonit. Ndër masat parandaluese të planifikuara është edhe vendosja e një rrjete mbrojtëse pas njërës prej portave, për të parandaluar hedhjen e objekteve në fushë dhe për të garantuar sigurinë e lojtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes. Kujtojmë se Barcelona kryeson aktualisht La Ligan me 46 pikë, katër më shumë se Real Madridi i vendit të dytë, dhe ndodhet në një seri mbresëlënëse prej tetë fitoresh radhazi në kampionat. / Telegrafi /