"Në periudhën e fundit prej një viti e gjysmë mësimdhënësit po marrin kujdesin e nevojshëm nga shteti. Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë siguruar rritje të pagave prej 12% dhe do të vazhdojnë të rriten me përqindje që do të varet nga shkalla e inflacionit. Marrëveshja që kemi nënshkruar me SASHK-un parashikon që në tre vitet e ardhshme të ketë rritje vjetore ndërmjet 7,5% dhe 10%, ndërsa në vitin e katërt rritja do të jetë ndërmjet 10% dhe 12%". Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, ku u diskutua për stabilitetin ekonomik të mësimdhënësve në të kaluarën dhe sot. "Ndryshe nga më parë, kur mësimdhënësit ishin të detyruar të bënin grevë sot nuk kanë nevojë për diçka të tillë, pasiqë shteti tregon kujdes të vërtetë ndaj tyre. Jo vetëm që ka rritje reale të pagave, por mësimdhënësit përfitojnë edhe mundësi për zhvillim profesional dhe në karrierë", thеksoi Janevska. Ajo gjithashtu informoi se gjatë një viti e gjysmë janë investuar 700 mijë euro në zhvillimin e kompetencave të mësimdhënësve. "Është ofruar katalog me trajnime për avancimin e aftësive të ndryshme, me fokus në përdorimin e inteligjencës artificiale, por edhe në metodat e mësimdhënies për lexim me kuptim". “Kujdesi do të rritet, sepse mësimdhënësit janë lidhja më e rëndësishme në sistemin edukativo-arsimor. Ata i përcjellin njohuritë, dhe pa ta nuk mund të zbatohet asnjë ligj apo strategji", shtoi Janevska.