Lekaj: Rahoveci i qëndron besnik vizionit të Aleancës dhe numrit 129

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet, Pal Lekaj, ka deklaruar se tubimi përmbyllës i AAK-së në Rahovec u shënua nga përkrahje e fuqishme për Aleancën dhe kandidatët e saj. Lekaj tha se Rahoveci ka dëshmuar edhe një herë se qëndron krah Aleancës, duke e cilësuar këtë komunë si një bastion të vizionit të punës dhe zhvillimit. “Sonte, në tubimin përmbyllës të Aleancës në Rahovec, morëm përkrahje të fuqishme, ashtu si çdo herë në këtë komunë që ka dëshmuar se qëndron krah nesh. Si gjithmonë, më nderuan me pritjen dhe përkrahjen e tyre, të cilën do ta kthejmë me punë dhe projekte të mëdha”, ka shkruar Lekaj. Ai theksoi se Rahoveci, nën udhëheqjen e kryetarit Smajl Latifi, i qëndron besnik vizionit të Aleancës dhe mbështetjes për numrin 129 në zgjedhje. “Faleminderit Rahovec”, përfundoi Lekaj, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve.