Abdixhiku: 1 miliard euro kemi ble rrymë për pesë vjet, tregon se çfarë do të mund të bënte Kosova me ato para

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kosova gjatë pesë viteve të fundit ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për blerjen e rrymës. Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Abdixhiku ka kritikuar qeverinë aktuale duke thënë se për shkak të këtyre shpenzimeve janë ndalur projekte të rëndësishme kapitale. “Këta njerëz e kanë ndalur unazën e kryeqytetit të Prishtinës, ka qenë investim prej 250 milionë eurosh. Çka s’është ndalur këtu në Kosovë? Kosova për pesë vjet ka blerë rrymë në vlerë prej 1 miliard eurosh. Veç sivjet kemi 250 milionë kemi blerë rrymë, qe ku janë paratë,” ka deklaruar ai. Ai tha se me 250 milionë eurot e shpenzuara vetëm këtë vit, do të ishte përfunduar unaza e kryeqytetit. “Me 250 milionë euro vetëm të sivjetshit do të ishte paguar unaza e kryeqytetit. Me 250 milionë ishte paguar gjysma e spitalit të ri të Kosovës, investimi më i madh në shëndetësi që nga viti 1964” tha ai. Sipas Abdixhikut, me këto mjete do të ishte mundësuar edhe realizimi i projektit të mësimit tërëditor në shkolla. “Me 250 milionë euro do të ishte kryer mësimi tërëditor; fëmijët do të kishin ngrënë ushqim të ngrohtë dhe do të qëndronin tetë orë në shkollë,” shtoi ai.