Koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së dhe deputet, Oliver Spasovski, në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje deputetësh, i drejtoi pyetje ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, lidhur me çmimin e lartë të kartonit të gjelbër për automjetet, i cili u nevojitet qytetarëve për udhëtime jashtë vendit. Pyetja kishte të bënte me mbrojtjen e palëve të treta dhe pasurisë së tyre nga pasojat e aksidenteve në komunikacion, përkatësisht me detyrimin ligjor të pronarëve të mjeteve motorike që, gjatë regjistrimit dhe kontrollit teknik të automjeteve, të kenë sigurim – pra sigurim të brendshëm për territorin e shtetit. Spasovski theksoi se këtë pyetje e ka parashtruar edhe me shkrim më 12 shkurt të këtij viti, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje nga ministrja. “Kjo është një pyetje që edhe qytetarët e Maqedonisë ia parashtrojnë vetes si një nga temat e rëndësishme. Ajo lidhet me mbrojtjen e palëve të treta dhe pasurisë së tyre nga pasojat e aksidenteve në komunikacion, si pronarë të mjeteve motorike që janë të detyruar, sipas ligjit, të kenë sigurim gjatë regjistrimit dhe kontrollit teknik të automjeteve – përkatësisht sigurim të brendshëm për territorin e shtetit. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që të gjithë ata që udhëtojnë jashtë vendit kanë detyrim të sigurojnë, përkatësisht të blejnë sigurim për jashtë vendit ose të ashtuquajturin karton i gjelbër i sigurimit. Ata nuk blejnë vetëm një vërtetim ndërkombëtar për sigurimin e automjetit, por bëjnë edhe zgjerim të sigurimit me vlefshmëri edhe për jashtë vendit. Ky dokument ende është i domosdoshëm për hyrje me mjete motorike në cilindo shtet të Evropës dhe aktualisht, për automjetet e udhëtarëve, kushton rreth 5.500 denarë me vlefshmëri prej një viti. Çmimi i kartonit të gjelbër në vendet e rajonit është dukshëm më i ulët se çmimi në Maqedoni dhe arrin 5 ose 10 euro, të cilat paguhen së bashku me regjistrimin dhe me sigurimin e policës për sigurim të brendshëm. Pyetja ime është nëse planifikohet një qasje tjetër lidhur me sigurimin e kartonit të gjelbër, përkatësisht ulja e çmimit të tij, pasi ekzistojnë disa mënyra dhe mekanizma për të arritur uljen e çmimit të kartonit të gjelbër", tha Spasovski. Spasovski pyeti se a mendon Ministria e Financave lehtësim financiar të kësaj procedure. "I kam të gjitha analizat, si dhe ndryshimet ligjore në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, të cilat kanë marrëveshje të veçanta me disa shtete, ku mund të hyhet me marrëveshje bilaterale pa karton të gjelbër. Në fakt, Maqedonia ka një marrëveshje të tillë bilaterale me Slloveninë, një nga shtetet e rralla ku as targat maqedonase dhe as ato sllovene nuk kanë nevojë të paraqesin karton të gjelbër.Prandaj pyes nëse Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, planifikon ndryshime të caktuara në çmimin e kartonit të gjelbër, me qëllim që t’u ndihmojë qytetarëve të mos paguajnë një çmim kaq të lartë dhe të kenë lëvizje normale jashtë vendit, ashtu siç është zgjidhur kjo çështje te fqinjët tanë. Nëse shohim, secili prej shteteve përreth nesh paguan 5 ose 10 euro së bashku me sigurimin e brendshëm dhe, në këtë mënyrë, qytetarët mund të lëvizin edhe jashtë shtetit të tyre, përkatësisht në rajon dhe më gjerë", u shpreh Spasovski.