Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Berat Rukiqi, ka reaguar lidhur me rritjen e numrit të familjeve në prag të varfërisë në Kosovë, duke u thirrur në të dhënat e publikuara nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Sipas Rukiqit, këtë vit numri i familjeve që jetojnë në prag të varfërisë ka arritur në 90 mijë, nga rreth 80 mijë sa ishin më herët. “Nga 80 mijë familje në prag të varfërisë, këtë vit i kemi 90 mijë familje në prag të varfërisë, sipas të dhënave të vet Hekuran Muratit”, ka deklaruar Rukiqi. Ai ka ironizuar narrativën e Qeverisë për zhvillim ekonomik, duke thënë se kjo situatë është pasojë e asaj që pushteti e quan “mrekulli ekonomike”. “Krejt kjo si rezultat i mrekullisë ekonomike, rritjes së pakrahasueshme ekonomike, varfërimit të të pasurve dhe pasurimit të të varfërve. Bravo”, ka shtuar Rukiqi. Rukiqi ka theksuar se këto shifra tregojnë përkeqësim të gjendjes sociale dhe ekonomike të qytetarëve, duke kërkuar politika konkrete që adresojnë varfërinë dhe mbështesin familjet në nevojë.