Krishtlindjet shpesh shihen si një kohë për mirësi, por një akt i thjeshtë bujarie nga një çift i ri në Britani të Madhe, 50 vjet më parë, ndryshoi përgjithmonë jetën e tyre. Më 23 dhjetor 1975, Rob Parsons dhe gruaja e tij, Dianne, po përgatiteshin për Krishtlindje në shtëpinë e tyre në Cardiff, kur dëgjuan një trokitje në derë. Në pragun e tyre qëndronte një burrë me një qese mbeturinash në dorën e djathtë dhe një pulë të ngrirë në dorën e majtë, raporton BBC . Robi e vështroi fytyrën e burrit dhe e kujtoi në mënyrë të paqartë si Ronnie Lockwood, një njeri që e kishte parë herë pas here në Shkollën e Dielës kur ishte fëmijë dhe për të cilin i kishin thënë të sillej me mirësi, sepse ai ishte “pak ndryshe”. “Unë i thashë: ‘Ronnie, çfarë ndodhi me pulën?’ Ai tha: ‘Disa njerëz ma dhuruan për Krishtlindje.’ Dhe pastaj unë thashë dy fjalë që ndryshuan jetën tonë të gjithëve. “Nuk jam i sigurt pse i thashë, por i thashë: ‘Hajde brenda’,” tha ai, transmeton Telegrafi. Sapo i kishin mbushur 27 dhe 26 vjeç, çifti ndjeu se ishte detyruar ta merrnin nën kujdes Ronnien, i cili ishte autik. Ata gatuan për të, e ndihmuan të lahej dhe ranë dakord ta mbajnë për Krishtlindje. Ajo që filloi si një akt dhembshurie u shndërrua në një shoqëri të veçantë, të mbushur me dashuri dhe kompromis, që zgjati 45 vjet — deri në ditën kur Ronnie vdiq. Robi, tani 77 vjeç, dhe Dianne, tani 76 vjeç, ishin martuar katër vjet para se ta mirëprisnin Ronnien në shtëpinë e tyre. Në atë kohë, Ronnie ishte pothuajse 30 vjeç dhe kishte mbetur pa shtëpi që në moshën 15-vjeçare, duke jetuar rreth Cardiffit dhe duke kaluar nga një punë te tjetra. Robi e shihte herë pas here në një klub rinor që ai drejtonte. Për ta bërë të ndihej sa më i mirëpritur, ata i kërkuan familjes së tyre t’i sillte dhurata për Krishtlindje — gjithçka, nga një palë çorape deri te produkte për kujdesin personal. “E mbaj mend ende. Ai ishte ulur në tryezën e Krishtlindjes me ato dhurata përpara dhe qau, sepse kurrë më parë nuk kishte përjetuar një dashuri të tillë, e kupton?”, tregoi Dianne, duke shtuar se “ishte vërtet e jashtëzakonshme ta shihje”. Çifti kishte planifikuar ta mbante deri ditën pas Krishtlindjes, por kur erdhi ajo ditë, nuk patën zemër ta largonin Ronnien dhe vendosën të kërkonin këshilla nga autoritetet. Sipas Robit, qendra për personat e pastrehë u tha se Ronnie kishte nevojë për një adresë për të gjetur punë, por “për të pasur një adresë, duhet një punë. Kjo është një situatë pa dalje ku gjenden shumë njerëz të pastrehë”. I vendosur në një shtëpi kujdesi që në moshën tetëvjeçare, Ronnie u zhduk nga Cardiff-i kur ishte vetëm 11 vjeç, tregoi Robi. Vetëm shumë vite më vonë, ndërsa po bënte hulumtime për librin e tij " A Knock on the Door" , ai zbuloi se çfarë i kishte ndodhur. Ronnie ishte dërguar rreth 200 milje (321.8 km) larg, në një shkollë që në një raport zyrtar përshkruhej si “shkollë për djem me zhvillim të mangët”, ku jetoi për pesë vjet. “Ai nuk kishte miq atje. Nuk kishte asnjë punonjës social që ta njihte. Nuk kishte as mësues që ta njihnin”, tha ai. Robi shtoi se Ronnie shpesh pyeste “A kam bërë diçka të keqe?”, diçka që ata besojnë se e kishte mësuar gjatë kohës së kaluar në atë shkollë. “Ai ishte gjithmonë i shqetësuar se mos kishte ofenduar dikë ose kishte bërë ndonjë gjë gabim”, theksoi Robi. Në moshën 15-vjeçare, Ronnie u dërgua sërish në Cardiff “pa asgjë”, thanë ata. Çifti tregoi se, në fillim, Ronnie ishte pak i vështirë për t’u afruar, pasi e kishte të vështirë të mbante kontakt me sy dhe bisedat i mbante shumë të shkurtra. “Por pastaj e njohëm më mirë dhe, sinqerisht, filluam ta donim vërtet”, thanë ata. Ata e ndihmuan Ronnien të gjente punë si punëtor pastrimi dhe e çuan të blinte rroba të reja, pasi zbuluan se ai ende mbante të njëjtat rroba që i ishin dhënë kur ishte adoleshent në shkollë. “Nuk kishim fëmijë tanë. Ishte sikur po vishnim fëmijën tonë për ditën e parë të shkollës — ishim prindër krenarë”, tha Robi. Ai shtoi se, ndërsa po dilnin nga dyqani, Dianne i kishte thënë: “Ai ka gjetur punë si pastrues dhe ne e kemi veshur sikur të ishte figura kryesore e Dorchester Hotel.” Robi, i cili ishte avokat, zgjohej një orë më herët çdo mëngjes për ta çuar Ronnien në punë, përpara se të shkonte vetë në zyrë. Kur kthehej në shtëpi, Ronnie shpesh ishte ulur aty, thjesht duke buzëqeshur. Një mbrëmje, Robi e pyeti “Ronnie, çfarë po të bën të qeshësh kaq shumë?” Ronnie iu përgjigj “Rob, kur më çon në punë në mëngjes, burrat e tjerë pyesin: ‘Kush është ai që të sjell në punë me atë makinë?’ Dhe unë u them: ‘Oh, ky është avokati im’”. “Nuk mendojmë se ai ishte krenar sepse e çonte në punë një avokat”, tha Robi, “por mendojmë se ndoshta ai kurrë nuk kishte pasur dikë që ta çonte në ditën e parë të shkollës. Dhe tani, gati 30 vjeç… më në fund, dikush është tek porta”. Ronnie kishte shumë rituale me të cilat ata u mësuan me kalimin e kohës, përfshirë zbrazjen e makinës larëse të enëve çdo mëngjes, dhe Robi bënte sikur habitej çdo herë, për të mos e zhgënjyer Ronnien. “Është e vështirë të dukesh i befasuar kur të bëjnë të njëjtën pyetje të martën që ta kanë bërë edhe të hënën, por ky ishte Ronnie. Dhe ne e bëmë këtë për 45 vjet”, tha ai me të qeshur. “Ai kishte qartazi vështirësi me leximin dhe shkrimin, por çdo ditë blinte gazetën South Wales Echo ”, shtoi Dianne. Çdo Krishtlindje, Ronnie u blinte gjithmonë të njëjtat kartela dhuratë të Marks & Spencer , por çdo vit e përjetonte me të njëjtin gëzim reagimin e tyre, sikur të ishte hera e parë. Ronnie kalonte një pjesë të madhe të kohës së lirë në kishën e tyre lokale, ku mblidhte donacione për të pastrehët dhe përgatiste sallën për shërbesat, duke i rreshtuar karriget “me shumë kujdes”. Dianne kujtonte një ditë kur ai u kthye në shtëpi me një palë këpucë të ndryshme dhe ajo e pyeti: “Ronnie, ku janë këpucët e tua?” Ai iu përgjigj se ia kishte dhënë një burri të pastrehë që kishte nevojë për to. “Ky ishte lloji i njeriut që ishte. Ai ishte i mrekullueshëm”, thanë ata. Një nga periudhat më të vështira për familjen ishte kur Dianne u sëmur me ME, e njohur edhe si sindroma e lodhjes kronike, dhe kishte ditë kur nuk arrinte të ngrihej nga shtrati. “Kisha një vajzë të vogël trevjeçare dhe Robi ishte larg për shkak të punës”, tregoi Dianne. Megjithatë, ajo tha se Ronnie ishte “i jashtëzakonshëm” në atë kohë: ai përgatiste shishet e qumështit për djalin e tyre, Lloyd, ndihmonte në punët e shtëpisë dhe luante me vajzën e tyre, Katie, duke u bërë një mbështetje e pazëvendësueshme për familjen. Edhe pse pranuan se dinamika kishte sfidat e saj - përfshirë betejën 20-vjeçare të Ronniet me varësinë ndaj bixhozit - ata nuk mund ta imagjinonin jetën e tyre pa të. “Nuk është diçka që do ta rekomandoja si strategji. Por Ronnie pasuroi jetën tonë në shumë mënyra. Ai kishte një zemër të madhe, Ronnie. Ishte i sjellshëm, por edhe i zemëruar,” tha Dianne, duke shtuar “nganjëherë isha nëna e tij, nganjëherë punonjësja sociale e tij, dhe nganjëherë kujdestarja e tij. Një ditë, dikush u pyet fëmijëve tanë: ‘Si e përballuat Ronnien kur shokët tuaj vinin në shtëpi?’ Dhe ata thanë: ‘Nuk mendojmë shumë për këtë, është thjesht Ronnie’”. Rob shtoi se “fëmijët tanë kurrë nuk e kanë njohur jetën pa Ronnie. Ai ishte aty para se ata të vinte dhe ishte aty edhe kur ata u larguan, madje edhe me fëmijët e tyre”. Ndërkohë që fëmijët e tyre po rriteshin dhe shtëpia e tyre me një banjo dukej e ngushtë, ata vendosën t’i sugjeronin Ronniet të merrte një apartament pranë tyre. Por kur hynë në dhomën e tij, ai përsëriti pyetjen e njohur “A kam bërë diçka të keqe?” Rob tregoi se Dianne e qetësoi duke e nxjerrë nga dhoma, por pastaj shpërtheu në lot dhe tha “Unë nuk mund ta bëj këtë”. Disa net më vonë, Ronnie hyri në dhomën e tyre dhe pyeti.: “Ne tre jemi miq të ngushtë, apo jo?” “I thashë: ‘Po, Ronnie, ne tre jemi miq të ngushtë’,” tha Rob. “Dhe do të jemi bashkë përgjithmonë, apo jo?” pyeti ai. Pas një heshtjeje të vogël, ndoshta shumë të gjatë, Rob shikoi Dianne dhe i tha.“po, Ronnie, ne do të jemi bashkë përgjithmonë. Dhe kështu ishte”. Ronnie vdiq në vitin 2020, në moshën 75-vjeçare, pas një goditjeje në tru. Çifti thotë se mungesa e tij ndjehet shumë ende. Vetëm 50 persona lejohej të merrnin pjesë në funeralin e tij për shkak të COVID-19, por “biletat ishin më të kërkuara se një koncert i Coldplay”, qeshi Rob. Ata morën të paktën 100 kartolina ngushëllimi, nga “profesorë të Universitetit të Oksfordit, te politikanë dhe të papunë”. Pas vdekjes së tij, një qendër e re mirëqenieje me vlerë 1.6 milion funte (1.83 milion euro), e lidhur me Kishën Glenwood në Cardiff, u emërua Lockwood House, sipas dëshirës së Ronniet. Megjithatë, ndërtesa e vjetër dhe ajo e re nuk përputheshin saktësisht, dhe ata kishin nevojë për fonde shtesë për të përfunduar rinovimin. “Por nuk kishin pse të shqetësoheshin,” tha Rob, duke shtuar se “gati deri në qindarkën e fundit, ishte saktësisht shuma që Ronnie kishte lënë në testamentin e tij. Në fund, njeriu i pastrehë vendosi çatinë mbi kokat tona të gjithëve. A nuk është e mahnitshme?” “Unë mendoj se gjithçka ishte e destinuar”, tha Dianne. “Njerëzit na pyesin: si ndodhi – 45 vjet – por e vërteta e thjeshtë është se ndodhi ditë pas dite. Ronnie solli një pasuri të jashtëzakonshme në jetën tonë”, përfundoi ajo. /Telegrafi/