Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj ka njoftuar qytetarët se shërbimi i Emergjencës është i dedikuar ekskluzivisht për raste urgjente dhe kërcënuese për jetën, duke kërkuar respektimin e këtij parimi për funksionim sa më efikas të shërbimeve shëndetësore. Sipas njoftimit, paraqitja në Emergjencë për raste jo emergjente, si ftohje, kollë, temperaturë e lehtë apo dhimbje jo akute, veçanërisht pas orës 21:00, nuk konsiderohet emergjencë dhe mund të pengojë trajtimin e rasteve serioze që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Nga QKMF Skenderaj bëhet e ditur se për të gjitha rastet jo emergjente, qytetarët duhet t’i drejtohen shërbimit të Mjekësisë Familjare gjatë orarit të rregullt të punës, nga ora 07:00 deri në 21:00. Zyrtarët shëndetësorë theksojnë se respektimi i këtij orari dhe i udhëzimeve të dhëna kontribuon në funksionimin normal të shërbimeve dhe garanton që Emergjenca të kryejë rolin e saj parësor për rastet më kritike. / Telegrafi /