Përurohet Stadiumi i Qytetit në Shtime, investim 2.5 milionë euro

Stadiumi i Qytetit në Shtime ka marrë një pamje tërësisht të re, pas përfundimit të projektit të rindërtimit me vlerë rreth 2.5 milionë euro, të financuar nga Qeveria e Kosovës. Projekti është realizuar brenda një periudhe prej një viti e gjysmë dhe ka sjellë modernizimin e plotë të infrastrukturës sportive. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe përfaqësues institucionalë, sportdashës dhe qytetarë. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e sportit dhe për komunitetin lokal. “Me rreth 2.5 milionë euro investim dhe për një periudhë njëvjeçare e gjysmë, është krijuar një stadium që u shërben sportistëve, shikuesve dhe futbolldashësve të të gjitha moshave. Uroj që ky stadium të shfrytëzohet sa më shumë dhe klubit futbollistik ‘Vjosa’ i dëshirojmë suksese të vazhdueshme”, tha Kurti. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, vlerësoi se stadiumi tashmë i plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare profesionale. “Këtu është arritur standardi i kërkuar për zhvillimin e ndeshjeve profesionale. Ky stadium i transformuar i shërben futbollistëve dhe publikut dhe është pjesë e angazhimit tonë për investime të vazhdueshme në sport, gjithandej Kosovës”, deklaroi Çeku. Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, e cilësoi rindërtimin e stadiumit si investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në këtë komunë. “Ky projekt i jep dinjitet sportit lokal dhe hap perspektiva të reja për të rinjtë tanë. Punimet, që kanë nisur në mars të vitit 2024 dhe kanë përfunduar para vitit 2026, përfshijnë ndërtimin e tribunave të reja me 1,205 ulëse, zhveshtoreve dhe objekteve përcjellëse. Ne besojmë në talentin e sportistëve tanë dhe investojmë për ta”, tha Aliu, duke falënderuar Qeverinë për mbështetjen. Rindërtimi i stadiumit në Shtime është pjesë e investimeve publike për avancimin e infrastrukturës sportive në Kosovë dhe pritet të shërbejë për klubin futbollistik “Vjosa”, si dhe për organizimin e aktiviteteve të tjera sportive. / Telegrafi /