U gjet i pastrehë, ish-ylli i Nickelodeon Tylor Chase, shtrohet në spital pas ndërhyrjes së miqve dhe familjes

Tylor Chase, ish-ylli i Nickelodeon i njohur nga seriali “Ned’s Declassified School Survival Guide”, është shtruar në spital në Kaliforninë Jugore, pasi miqtë dhe familja e tij u bashkuan për ta ndihmuar të dilte nga situata e vështirë e pastrehësisë dhe problemet shëndetësore. Sipas DailyMail , Chase po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor pasi një qendër krize vlerësoi se ai kishte nevojë për ndihmë të menjëhershme dhe e dërgoi për trajtim 72-orësh. Iniciativa për ndihmë erdhi me udhëzimin e babait të tij, i cili kërkoi nga influencuesi Jake Harris të bënte gjithçka të mundur për ta futur në trajtim. Harris tha se Chase tani është në duar të sigurta dhe se situata e tij po stabilizohet, duke shtuar se ai kishte nevojë vetëm për dikë që të vepronte. Ndërkohë, ish-kolegu i tij Daniel Curtis Lee konfirmoi se miqtë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me aktorin për ta inkurajuar të pranojë trajtimin. Lajmi i shtrimit në spital vjen pak ditë pasi Chase u pa në rrugët e Kalifornisë Jugore në prag të Krishtlindjeve, duke pranuar rroba dhe ushqim nga qytetarë që u lutën për mirëqenien e tij. Pamjet prekëse ngjallën reagime të shumta në rrjet, duke shtyrë edhe ish-yllin Shaun Weiss të përfshihej aktivisht në përpjekjet për ta ndihmuar. Edhe pse më herët Chase kishte refuzuar strehimin dhe trajtimin, ndërhyrja e koordinuar e miqve, familjes dhe autoriteteve duket se ka sjellë një kthesë pozitive, me shpresën që ky të jetë hapi i parë drejt një rikuperimi afatgjatë. /Telegrafi/