Kritikët shpesh akuzojnë Donald Trumpin se e bashkon interesin e tij privat financiar me detyrën si president i SHBA-së. Së fundmi kjo akuzë duket se forcohet edhe më shumë, shkruan Deutsche Welle , pasi kompania Trump Media and Technology Group (TMTG) njoftoi bashkimin me kompaninë energjetike TAE Technologies, në një marrëveshje vlerë rreth 6 miliardë dollarë, që synon përdorimin e teknologjisë së fuzionit bërthamor për prodhimin e energjisë. TAE është një nga kompanitë private më të vjetra në botë që punon në këtë fushë, mbështetet nga kompani të mëdha si Google dhe Chevron dhe ka mbledhur mbi 1.3 miliardë dollarë kapital privat. Pas njoftimit të marrëveshjes, aksionet e TMTG në bursën amerikane Nasdaq u rritën ndjeshëm - rreth 42 për qind, duke çuar pasurinë neto të Trumpit të rritet me mbi 500 milionë dollarë, sipas Forbes, në rreth 6.8 miliardë dollarë. Trump themeloi TMTG-në në shkurt të vitit 2021, pas bllokimit të llogarive të tij në X (ish-Twitter), dhe projekti kryesor i saj ka qenë platforma sociale Truth Social. Ndryshe nga shumë presidentë të mëparshëm, Trump nuk ia ka kaluar pasurinë një fondi të pavarur (“Blind Trust”), por e menaxhon ende përmes familjes - gjë që kritikët thonë se krijon konflikt interesi mes rolit të tij si president dhe fitimeve personale. Për më tepër, Trump ka promovuar iniciativën “Genesis Mission” për zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke siguruar mbështetje edhe nga kompani si Microsoft, Google dhe Nvidia. Një rritje e kërkesës për energji, përfshirë atë që do të prodhohej nga fuzioni bërthamor, mund të jetë në dobi të bizneseve të tij private - një tjetër pikë që kritikët e shohin si përzierje të interesit publik me atë privat. /Telegrafi/