Koalicioni VLEN në një kumtesë për media thekson se Doganat e Republikës së Maqedonisë së Veriut po shndërrohen në një histori suksesi institucional, me mbi 100 milionë euro të hyra në buxhet. Siç thonë nga koalicioni, ky progres i prekshëm është dëshmi e qartë se me VLEN-in në qeverisje dhe me angazhimin konkret të zëvendësdrejtorit të Doganave, Mustafa Dauti, institucionet po kthehen në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. "Gjatë vitit që po lëmë pas janë nënshkruar memorandume të rëndësishme bashkëpunimi me institucione vendore dhe ndërkombëtare (Bullgari, Turqi, Kosovë, Serbi), është zbatuar koncepti “One Stop Shop” në pikat kufitare kyçe, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe tregtinë legale, si dhe janë realizuar 21 punësime të reja për shqiptarët, një hap domethënës drejt përfaqësimit të drejtë dhe barazisë reale". "VLEN thekson se këto rezultate janë dëshmi se kur institucionet udhëhiqen me vizion, integritet dhe profesionalizëm, shteti fiton, qytetarët fitojnë dhe drejtësia forcohet. Angazhimi ynë vazhdon për dogana moderne, të ndershme dhe plotësisht të harmonizuara me standardet evropiane, me rezultate edhe më të mira në vitin që vjen", thonë nga VLEN.