Pse ka urdhëruar Trump sulme në Nigeri?

Pasi për javë të tëra kishte akuzuar Qeverinë e Nigerisë se po dështon të ndalojë persekutimin e të krishterëve, Donald Trump njoftoi në Ditën e Krishtlindjes se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kryer një seri sulmesh ndaj këtij vendi të Afrikës Perëndimore. Sulmet, të drejtuara kundër militantëve të të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIS) në veri të Nigerisë, përbëjnë ndërhyrjen më të fundit ushtarake amerikane jashtë vendit nën udhëheqjen e presidentit amerikan, i cili gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 kishte premtuar se do ta nxirrte SHBA-në nga dekada “luftërash të pafundme”. Çfarë dimë për sulmet? Në deklaratën e tij, Trump tha se sulmet kishin në shënjestër militantët e Shtetit Islamik që “po sulmonin dhe po vrisnin në mënyrë brutale, kryesisht, të krishterë të pafajshëm, në përmasa që nuk janë parë për një kohë shumë të gjatë, madje as për shekuj”. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Luftës i tha Associated Press se SHBA-ja kishte vepruar në bashkëpunim me Nigerinë dhe se sulmet ishin miratuar nga autoritetet e atij vendi. Ministria e Punëve të Jashtme e Nigerisë njoftoi se bashkëpunimi përfshinte shkëmbim informacionesh të inteligjencës dhe koordinim strategjik. Pse e synoi Trumpi Nigerinë? Pjesë të së djathtës amerikane prej vitesh i kanë forcuar pretendimet se të krishterët janë të persekutuar në Nigeri. Në muajin shtator, senatori republikan Ted Cruz kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve nigerianë që “lehtësojnë dhunën kundër të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare, përfshirë dhunën e grupeve terroriste islamiste”. SHBA-të sulmojnë militantët e Shtetit Islamik në Nigeri Pretendimet për persekutimin e të krishterëve jashtë vendit janë bërë një faktor i fuqishëm mobilizues për bazën elektorale të Trumpit, dhe presidenti amerikan ka ndër mbështetësit e tij më besnikë të krishterët ungjillorë, transmeton Telegrafi. Më herët gjatë këtij viti, duke u thirrur në këto shqetësime, Trump e shpalli Nigerinë “vend me shqetësim të veçantë” sipas Ligjit amerikan për Lirinë Fetare Ndërkombëtare, pas disa javësh lobimi nga ligjvënës amerikanë dhe grupe konservatore të krishtera. Menjëherë pas kësaj, ai urdhëroi Pentagonin të fillonte planifikimin e një veprimi të mundshëm ushtarak në atë vend. Atëherë ai tha se mund të vepronte “me të gjitha mjetet në dispozicion” nëse qeveria nigeriane vazhdon “të lejojë vrasjen e të krishterëve”. A ekziston persekutimi fetar në Nigeri? Qeveria e Nigerisë, duke iu përgjigjur edhe më herët kritikave të Trumpit, ka theksuar se grupet ekstremiste në mbarë vendin sulmojnë njerëz të besimeve të ndryshme, jo vetëm të krishterë, shkruan theguardian. Nigeria është zyrtarisht një shtet laik, por është pothuajse e ndarë në mënyrë të barabartë mes myslimanëve (53 për qind) dhe të krishterëve (45 për qind), ndërsa pjesa tjetër e popullsisë praktikon fe tradicionale afrikane. Dhuna ndaj të krishterëve ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe shpesh përshkruhet si persekutim fetar, por shumica e analistëve mendojnë se situata është më e ndërlikuar dhe se sulmet kanë motive të ndryshme. Për shembull, përplasjet vdekjeprurëse mes barinjve nomadë myslimanë dhe komuniteteve bujqësore kryesisht të krishtera burojnë nga lufta për tokë dhe ujë, por përkeqësohen edhe nga dallimet fetare dhe etnike. Rrëmbimet e priftërinjve, sipas shumë analistëve, lidhen më tepër me motive financiare sesa me urrejtje fetare, pasi ata konsiderohen persona me ndikim, komunitetet ose organizatat e të cilëve mund të mbledhin shpejt para. Çfarë thotë qeveria e Nigerisë? Pas sulmeve të së enjtes, Ministria e Punëve të Jashtme e Nigerisë e vlerësoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shmangu pranimin se veprimet amerikane kishin lidhje me persekutimin e të krishterëve. “Dhunë terroriste në çfarëdo forme, qoftë e drejtuar kundër të krishterëve, myslimanëve apo komuniteteve të tjera, përbën një sulm ndaj vlerave të Nigerisë dhe ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e ministrisë. pic.twitter.com/2ZKH5tBoIm — Ministry of Foreign Affairs, Nigeria (@NigeriaMFA) December 26, 2025 Qeveritë e njëpasnjëshme të Nigerisë po përballen me një krizë të rëndë sigurie, në të cilën gjatë viteve të fundit janë vrarë mijëra njerëz dhe qindra janë rrëmbyer. Në verilindje të vendit, Boko Haram dhe fraksionet e tij, përfshirë Shtetin Islamik të Afrikës Perëndimore, që nga viti 2009 kanë zhvilluar një kryengritje në të cilën janë vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe miliona janë zhvendosur. Në veriperëndim, grupe kriminale të armatosura rëndë, shpesh të quajtura “banditë”, kryejnë rrëmbime masive dhe sulme që prekin si komunitetet myslimane ashtu edhe ato të krishtera. Muajin e kaluar, presidenti i Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, deklaroi se paraqitja e Nigerisë si një vend që nuk respekton liritë fetare nuk pasqyron realitetin. “Liria dhe toleranca fetare janë themeli i identitetit tonë të përbashkët dhe do të mbeten të tilla… Nigeria është një vend me garanci kushtetuese për mbrojtjen e qytetarëve të të gjitha besimeve”, tha ai. /Telegrafi/ The United States has carried out a strike against the Islamic State in Nigeria Donald Trump said that, on his orders, U.S. forces struck Islamic State militants in northwestern Nigeria. He explained the operation as a response to a series of brutal killings of Christians in the… pic.twitter.com/Txb6XODv3K — NEXTA (@nexta_tv) December 26, 2025