Nënshkruhet kontrata për rregullimin e ujësjellësit në Pjetërshticë, investim rreth 400 mijë euro

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për rregullimin e ujësjellësit në fshatin Pjetërshticë, projekt ky në vlerë rreth 400 mijë euro. Sipas njoftimit, projekti financohet nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” dhe synon zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ujë të pijshëm në këtë fshat. Punimet tashmë kanë nisur dhe pritet të vazhdojnë me intensitet të lartë gjatë muajve në vijim, varësisht nga kushtet atmosferike. Kryetari Aliu theksoi se realizimi i këtij projekti është në përputhje me zotimet e dhëna ndaj qytetarëve, duke vlerësuar se investimi do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë për banorët e Pjetërshticës dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së tyre. / Telegrafi /