Nga 1 janari 2026, qytetarët do të paguajnë participim pak më të lartë për disa shërbime shëndetësore, njoftoi Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH). Rritja vlerësohet si "simbolike" dhe, siç theksojnë autoritetet, përfaqëson rregullim të çmimeve që nuk janë rregulluar me vite. Sipas njoftimeve, participimi për shërbimet për të cilat më parë paguheshin 40 denarë do të rritet në 60 denarë. FSSH thekson se ky rregullim nuk do ta rëndojë ndjeshëm buxhetin e qytetarëve, por do të kontribuojë në një financim më të mirë të sistemit shëndetësor. Ekzaminimi specialistik do të rritet nga 380 denarë në 720 denarë. Ndërsa paketa e përgjithshme e emergjencës do të ketë rritjen më të madhe, nga 780 denarë në 2,450 denarë. Paralelisht me rritjen e participimit, janë planifikuar edhe pagesa më të mëdha për institucionet shëndetësore, veçanërisht për shërbimet e konsultimit specialistik, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe aksesit të kujdesit shëndetësor. Fondi njofton gjithashtu ndryshime të tjera në vitin 2026, duke përfshirë zgjerim të listës pozitive të barnave, të cilat, thonë ata, duhet të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për pacientët.