Pensionistët dhe familjet e tyre do të marrin mbështetje më të madhe financiare në momentet më të vështira. Bordi Drejtues i Fondit Pensional të Republikës së Maqedonisë ka vendosur të rrisë kompensimin në rast vdekjeje nga 35.000 në 40.000 denarë, në përgjigje të kostove në rritje të shërbimeve të varrimit dhe presionit të shtuar social mbi këtë kategori qytetarësh. Vendimi, i iniciuar nga Organizata e Regjistruar për Fondin e Solidaritetit, parashikon pagesën e një shume më të lartë në rast të vdekjes së përfituesit të pensioneve, ndërsa zbritja mujore nga pensionet për fondin e solidaritetit do të rritet nga 140 në 150 denarë. Qëllimi, siç thuhet nga Fondi, është të ruhet stabiliteti financiar dhe likuiditeti i sistemit. Sipas Stanka Trajkovës, anëtare e Bordit Drejtues dhe kryetare e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve të Maqedonisë, rritja simbolike prej 10 denarësh për pensionist në bazë mujore do të sigurojë fonde shtesë të konsiderueshme, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e numrit të pensionistëve në dhjetor 2025. /Telegrafi/