Slagjan Trajkoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Slagjan Trajkoviq, duke e dënuar me 10 vjet burim. Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Arben Hoti dhe Donikë Shala-Abdyli, raporton “ Betimi për Drejtësi “. Gjykatësi Arrni tha se Trajkoviq është fajtor për pikën C të aktakuzës dhe të njëjtin Gjykata e gjykon me dënim me 10 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, atij i vazhdohet me aktvendim të veçantë. Trajkoviq obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit. Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil. Sa i përket pikës A, B dhe D të aktakuzës, gjykatësi Arrni tha se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer ato veprime inkriminuese për të cilat e ngarkon aktakuza. Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën e Apelit.