Miliarderi amerikan dhe pronari i Tesla-s, Elon Musk, deklaroi se kryeqyteti i Belgjikës, Brukseli, “nuk është më belg”. Komenti i tij u bë pas rezultateve të një ankete nga portali belg “Immigratiebarometer”, i cili monitoron çështjet demografike dhe emigracionin në vend. Sipas portalit, kanali kryesor i emigracionit për të hyrë në Belgjikë mbetet bashkimi familjar. Që nga viti 2018, mesatarisht çdo vit ka pasur rreth 56 mijë ribashkime familjare. Vetëm gjatë pandemisë së COVID-19 u shënua një rënie, ndërsa në vitin 2024 u regjistrua një rekord me 59,873 familje që u ribashkuan. The capital city of Belgium is no longer Belgian … https://t.co/z6DsU86wOU — Elon Musk (@elonmusk) December 26, 2025 Komenti i Musk erdhi në përgjigje të një postimi të Mario Nawfal, themelues i Grupit IBS, i cili vuri në dukje se pothuajse tre nga katër fëmijë në Bruksel tani janë me origjinë jo-evropiane. Ai theksoi se kjo ndryshon rrënjësisht përbërjen e popullsisë së qytetit dhe ka pasoja të thella sociale. Sipas Nawfal, shumica e të miturve nuk kanë origjinë belge, duke riformësuar kështu popullsinë e ardhshme. Ai argumentoi se ky fenomen nuk është rastësor, por rezultat i zgjedhjeve të qëllimshme politike nga elitat që injoruan paralajmërimet. Kur një kryeqytet ka shumicën e popullsisë me rrënjë të huaja, integrimi bëhet i vështirë, ndërsa ajo që po ndodh në Bruksel përshkruhet si zëvendësim demografik, jo thjesht menaxhim i diversitetit. /Telegrafi/