Interi po sheh përpara drejt afatit të ardhshëm dimëror të transferimeve, i cili hapet pas pak ditësh. Ndër emrat që zikaltërit duket se po shqyrtojnë është edhe Federico Chiesa. Sipas Alfio Musmarrës, gazetar i lidhur ngushtë me Interin, klubi ka shprehur tashmë interesim pranë Liverpoolit. Marrëveshja mund të realizohet në formën e huazimit me opsion blerjeje. Ideja e transferimit të Federico Chiesës vjen nga fakti se lojtari mund t’i japë Cristian Chivut mundësinë të kalojë në skemën 3-4-2-1 kur të jetë e nevojshme. Gjithashtu ai mund të shërbejë si alternativë në krahun e djathtë, duke pasur parasysh se në disa rrethana, veçanërisht te Fiorentina dhe Juventusi, italiani ka luajtur herë pas here edhe si anësor i pastër. Deri më tani gjatë vitit 2025, Chiesa ka zhvilluar rreth 30 ndeshje në të gjitha garat me Liverpoolin, duke numëruar katër gola dhe dy asistime./ Telegrafi /