Rreth 100 prokurorë të Shtetit në gatishmëri për zgjedhjet parlamentare

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025. Në këto zgjedhje, rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të jenë të angazhuar në gjithë territorin e Kosovës, duke monitoruar procesin dhe duke siguruar procedimin e çdo parregullsie që mund të ndodhë gjatë votimit. Prokurori i Shtetit i bën thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave që të raportojnë çdo dyshim për manipulim ose keqpërdorim të votës tek prokuroritë përkatëse, për të mbrojtur zgjedhjet dhe votën e lirë të qytetarëve. / Telegrafi /