Viti 2025 ka shënuar një ndryshim të thellë në rendin gjeopolitik dhe ekonomik global, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu tha në “Përballje Podcast”, eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, i cili vlerëson se nuk ka pasur vetëm ndryshim administrate, por edhe ndryshim doktrine politike dhe ekonomike. “Me ardhjen e presidentit Trump, u ndryshua doktrina politike dhe ekonomike e Shteteve të Bashkuara. Brenda një kohe shumë të shkurtër u nënshkruan qindra urdhra ekzekutivë që krijuan perceptimin e një Amerike që po ndryshon rrënjësisht”, tha Bajra, shkruan Telegrafi. - YouTube www.youtube.com Sipas tij, këto zhvillime janë reflektuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet transatlantike dhe në fragmentimin e tregut evropian, i cili mbetet tregu më i madh dhe më i lakmueshëm konsumator në botë. “Amerikës nuk i konvenon një Evropë e bashkuar si njësi e vetme tregtare. Kostoja e rikthimit të Amerikës si superfuqi e vetme po paguhet kryesisht nga Evropa”, theksoi ai. Katër luhatjet kryesore në tregjet globale financiare gjatë 2025-së Bajra thotë se kanë ndodhur katër luhatje të mëdha që kanë goditur tregjet financiare globale gjatë vitit 2025, me theks të veçantë në sektorin teknologjik dhe politikat tarifore amerikane. “Kemi pasur katër luhatje serioze në tregjet globale. Ato erdhën si kombinim i gjeopolitikës, tarifave amerikane dhe goditjes së sektorit të teknologjisë”, shpjegoi ai. Foto: Floriana Alija Sipas tij, rënia e besimit në kompanitë e mëdha teknologjike, frika nga inteligjenca artificiale dhe reagimet emocionale të investitorëve krijuan pasiguri të theksuar, por pa shkaktuar kolaps sistemik. “Investitorët reagojnë shumë shpejt. Kur kapitali tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik, por tregjet kanë treguar rikuperim gradual”, tha Bajra në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu. 2026- vit më i nxehtë dhe pritjet për Trustin Pensional të Kosovës Duke folur për vitin 2026, Bajra paralajmëron se pritet të jetë edhe më i tensionuar, si në aspektin gjeopolitik ashtu edhe në tregjet financiare, për shkak të konsolidimit të pushtetit të Trumpit dhe vendimeve ekonomike që priten nga administrata amerikane. “Viti 2026 do të jetë edhe më i nxehtë. Amerika është superfuqi dhe çdo vendim i saj reflektohet globalisht”, tha ai. Sa i përket Trustit Pensional të Kosovës, ku Bajra është kryesues i bordit, thotë se pavarësisht luhatjeve të tregut, fondi mbetet stabil dhe me kthim pozitiv. “Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet afatshkurtra nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, theksoi ai. Sipas Bajrës, viti 2025 pritet të mbyllet pozitivisht për fondin, ndërsa diversifikimi i investimeve dhe menaxhimi profesional kanë garantuar siguri dhe rritje afatgjatë. “Kosova ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra . /Telegrafi/