Imani Dia Smith, aktorja e njohur për rolin e saj si Nala e Re në versionin e Broadway-t të filmit të famshëm të Disney-t, “The Lion King”, ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare pas një sulmi me thikë nga i dashuri i saj. Lajmi i hidhur ka tronditur familjen, miqtë dhe komunitetin teatral. Sipas Zyrës së Prokurorit të Qarkut Middlesex në New Jersey, incidenti ndodhi më 21 dhjetor. Policia në Edison iu përgjigj një telefonate në 911 dhe gjeti aktoren me plagë nga thika. Ajo u transportua urgjentisht në Spitalin Universitar Robert Wood Johnson, ku fatkeqësisht u shpall e vdekur, shkruan DailyMail. I dashuri i saj, Jordan D. Jackson-Small, u arrestua menjëherë pas incidentit. Prokurorët e akuzuan për vrasje të shkallës së parë, rrezikim të mirëqenies së një fëmije të shkallës së dytë, posedim të armës për qëllim të paligjshëm dhe posedim të paligjshëm të armës së shkallës së katërt. Ata theksuan se: “Smith dhe Jackson-Small njiheshin me njëri-tjetrin para incidentit; prandaj, nuk ishte një akt i rastësishëm dhune”. Imani la pas djalin e saj trevjeçar, prindërit, dy vëllezërit dhe motrat më të vegjël, tezen dhe një familje të madhe miqsh dhe të afërmish. Në përpjekje për të mbështetur familjen dhe veçanërisht rritjen e fëmijës së saj, halla e Smith, Kira Helper, krijoi një faqe GoFundMe. Qëllimi i faqes ishte mbledhja e 55,000 dollarëve (afërsisht 51,150 euro), dhe brenda pak ditësh u arritën mbi 47,000 dollarë (afërsisht 43,710 euro), duke treguar mbështetjen e madhe të komunitetit për familjen në këtë kohë të vështirë. /Telegrafi/