Futbolli turk po përballet me një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit, pas zbulimeve për përfshirje masive në bastvënie të paligjshme nga lojtarë, drejtues klubesh dhe zyrtarë të futbollit. Sipas Zyrës së Prokurorit Publik në Stamboll, të paktën 27 futbollistë të klubeve të Superligës dyshohet se kanë vënë baste në ndeshje ku përfshiheshin ekipet e tyre, një shkelje e rëndë e rregulloreve sportive dhe ligjit penal. Në total, prokurorët kanë urdhëruar ndalimin e 46 personave, mes tyre 29 futbollistë, presidentë klubesh, komentatorë sportivë dhe individë të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Një nga emrat më të njohur në listën e të dyshuarve është Metehan Baltaci, lojtar i kampionëve në fuqi të Turqisë, Galatasaray, i cili është pezulluar më herët për nëntë muaj për lidhje me bastvënien. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet kanë zbuluar se shumica e lojtarëve kanë vënë baste drejtpërdrejt, ndërsa disa të tjerë kanë përdorur llogari të personave të tretë për të shmangur gjurmimin. Në këtë kontekst përmendet edhe Mert Hakan Yandas i Fenerbahces, për të cilin autoritetet thonë se bastet janë vendosur përmes një llogarie tjetër. Mediat turke raportojnë gjithashtu se në listën e personave të ndaluar përfshihet edhe ish-presidenti i Adana Demirsporit, Murat Sancak. Hetimi mori përmasa të reja më 10 nëntor, kur gjashtë gjyqtarë futbolli dhe presidenti i Eyipsporit, klub i Superligës, u vendosën në paraburgim. Dy presidentë klubesh të divizionit të tretë janë gjithashtu nën hetim për përpjekje për të ndikuar në rezultatin e një ndeshjeje të sezonit 2023/2024, e cila u bë e dyshimtë për shkak të mungesës totale të tentativave për gol nga të dyja skuadrat. Deri tani, policia ka ndaluar 35 nga 46 personat e përfshirë në urdhrat e arrestit, ndërsa pesë të dyshuar ndodhen jashtë Turqisë. Asnjë prej klubeve të përmendura nuk ka reaguar zyrtarisht. Federata Turke e Futbollit ka marrë masa drastike, duke pezulluar më shumë se 1,000 futbollistë në të gjitha kategoritë. Mbi 25 prej tyre janë nga Superliga, me dënime që variojnë nga 45 ditë deri në 12 muaj ndalesë loje. I vetmi futbollist i huaj i përfshirë është senegalezi Alassane Ndao i Konyasporit, i cili është pezulluar për një vit. Shumica e të pezulluarve janë nga divizionet e treta dhe të katërta, ndërsa në tetor federata suspendoi gjithashtu rreth 150 gjyqtarë për përfshirje në bastvënie./ Telegrafi /