Mesazhe të rreme në telefon, Posta e Kosovës u bën apel qytetarëve të mos bien pre e mashtrimit

Posta e Kosovës ka njoftuar qytetarët se persona të panjohur po dërgojnë mesazhe në telefon, duke u paraqitur në mënyrë të rreme në emër të Postës së Kosovës. Posta me këtë rast u bën apel qytetarëve që të mos bien pre e këtij mashtrimi. “Persona të panjohur po dërgojnë mesazhe SMS qytetarëve, duke u paraqitur në mënyrë të rreme në emër të Postës së Kosovës. Menjëherë pas identifikimit të këtij rasti, Posta e Kosovës ka njoftuar organet kompetente dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me to për adresimin e kësaj çështjeje”, thuhet në njoftim. Posta e Kosovës bën të ditur se komunikon vetëm përmes kanaleve zyrtare, si në vijim: ueb-faqe: www.postakosoves.com , facebook: https://www.facebook.com/PostaeRepublikesseKosoves/ , Instagram: https://www.instagram.com/postakosoves/ , LinkedIn: https://www.linkedin.com/company/posta-e-kosov-s dhe numrat zyrtarë: 038 221 631 | 045 851 001. “U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë asnjë lidhje (link) të dërguar përmes këtyre mesazheve mashtruese dhe të mos bashkëpunojnë me numra apo kontakte që nuk janë zyrtare. Në asnjë rrethanë, Posta e Kosovës nuk kërkon të dhëna personale apo informacione bankare përmes SMS-ve apo kanaleve jozyrtare. Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në administrata postare të vendeve të tjera të rajonit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/