Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar vizionin e partisë së tij për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, duke theksuar se brenda më pak se një mandati qeverisës do të përfundojnë projektet kryesore rrugore në vend. Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka deklaruar se LDK synon ta shndërrojë lidhjen rrugore mes qyteteve në një realitet të ri zhvillimor për Kosovën. “Për më pak se një mandat, rrugët e Kosovës duhet të përfundojnë. Do të përfundojnë me ne!”, ka shkruar ai, duke shtuar se ekipet e LDK-së do të jenë të angazhuara vazhdimisht në terren për realizimin e këtyre projekteve. Sipas tij, projekte si Unaza e Kryeqytetit, Autostrada e Anamoravës, si dhe magjistralet për Podujevë, Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë, duhet të përmbyllen si projekte kombëtare të zhvillimit. “Sepse rrugët janë ekonomi, janë lëvizje, janë vende pune dhe jetë më e lehtë për qytetarët tanë”, ka theksuar Abdixhiku. Kreu i LDK-së ka nënvizuar se Kosova ka nevojë për veprime konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm. “Kosova ka nevojë për punë konkrete. Kosova ka nevojë për zhvillim. LDK do t’i përfundojë. Ky është plani ynë”, ka përfunduar Abdixhiku. Deklaratat e tij vijnë në kuadër të prezantimit të prioriteteve programore të LDK-së, me fokus në infrastrukturë si shtyllë kryesore për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.