Pal Lekaj falënderon Ramush Haradinajn dhe fton qytetarët në tubimin përmbyllës të AAK-së në Gjakovë

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka vlerësuar mbështetjen e liderit të partisë, Ramush Haradinaj, në orët e fundit të fushatës zgjedhore, duke theksuar se kjo i jep forcë shtesë para ditës së votimit. Në një postim publik, Lekaj shprehet mirënjohës për miqësinë dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me Haradinajn, duke e cilësuar garën në listën e AAK-së si nder personal. “Në këto orë të fundit të fushatës, ky mesazh nga lideri e miku im Ramush Haradinaj më jep forcë edhe më të madhe para së dielës”, ka shkruar Lekaj, duke shtuar se, “është nder i madh i imi të garoj në listën që ju ka juve në krye”. Ai ka theksuar se mbetet i përkushtuar për të vazhduar angazhimin politik në kuadër të AAK-së, për projektet që, sipas tij, e presin Kosovën. “Gjithmonë, me Aleancën, për projektet e mëdha që na presin për Kosovën. Na priftë e mbara krah njëri-tjetrit!”, ka shkruar Lekaj. Në një postim tjetër, kandidati i AAK-së ka ftuar qytetarët e Gjakovës dhe rrethinës të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të Aleancës, që mbahet sot në këtë qytet. “Të dashur qytetarë, në Gjakovën tonë, Aleanca sot mban tubimin përmbyllës të kësaj fushate zgjedhore që na ka bërë bashkë si asnjëherë më parë, krah njëri-tjetrit”, ka theksuar Lekaj. Sipas tij, tubimi do të mbahet nga ora 17:40, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, ndërsa ka rikujtuar edhe numrin zgjedhor të AAK-së. “Të dielën mos harroni, 129 është numri, e kryeministri i ardhshëm, kryetari Ramush Haradinaj”. / Telegrafi /