Drejtori i Mobilitetit, Donat Lushaku, ka njoftuar se sot po zhvillohet procesi i dezinfektimit të hapësirës në Nënkalimin te Xhamia e Llapit, në lagjen Kodra e Trimave, me përdorimin e mjeteve të parapara higjienike. Sipas njoftimit, gjatë ditës së nesërme është planifikuar pastrimi gjeneral i nënkalimit me cisternë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të higjienës dhe sigurisë për qytetarët. Lushaku ka apeluar tek banorët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë hapësirë dhe, nëse është e mundur, të shmangin përdorimin e nënkalimit deri në përfundimin e plotë të punimeve të pastrimit. Institucionet komunale kanë theksuar se këto veprime po ndërmerren në kuadër të mirëmbajtjes së rregullt të infrastrukturës urbane dhe për garantimin e një ambienti më të sigurt për këmbësorët. / Telegrafi /