Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve me grip dhe infeksione respiratore në vend, duke theksuar se javët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e qytetarëve që kërkojnë trajtim mjekësor, përfshirë edhe raste që kanë përfunduar me hospitalizim. Sipas të dhënave të grumbulluara nga instituti, sezoni i gripit ka hyrë në një fazë intensifikimi, çka po reflektohet me rritje të ngarkesës në shërbimet shëndetësore. Në këtë situatë, IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shfrytëzojnë vaksinimin kundër gripit sezonal, duke e cilësuar atë si masën më të sigurt dhe më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve që ajo mund të shkaktojë, përcjell Telegrafi. Instituti thekson se, edhe pse sezoni i gripit ka nisur, vaksinimi vazhdon të jetë i dobishëm, pasi përhapja e virusit pritet të shtohet gjatë muajve në vijim. Po ashtu, është nënvizuar se vaksina ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për forma të rënda të gripit dhe ofron mbrojtje të veçantë për grupet më të ndjeshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, si dhe të gjithë qytetarët mbi moshën gjashtë muajsh që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe pasojat e tij. IKSHPK ka ftuar qytetarët që, së bashku me anëtarët e familjes, të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për të realizuar vaksinimin kundër gripit sezonal. / Telegrafi /